Nahumi
Kapitull 3
1 Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet!
2 Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin,
3 kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat.
4 Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike.
5 "Ja, unë jam kundër teje", thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t'u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd.
6 Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit.
7 Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t'i vijë keq për të?". Ku t'i kërkoj ngushëllonjësit e saj?".
8 A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur?
9 Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij.
10 Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë.
11 Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut.
12 Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t'i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha.
13 Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua.
14 Mblidh për vete ujin e nevojshëm për rrethimin, përforco fortifikimet e tua, ngjeshe argjilën, punoje llaçin, ndreqe furrën për tulla.
15 Atje zjarri do të të gllabërojë, shpata do të të shkatërrojë, do të të hajë si një larvë karkaleci; shumohu si larvat e karkalecave, shumohu si karkalecat.
16 I ke shumuar tregjet e tua më tepër se yjet e qiellit; larvat e karkalecave zhveshin çdo gjë dhe pastaj fluturojnë tutje.
17 Princat e tu janë si karkalecat, oficerët e tu si mizëri karkalecash që ndalen midis gjerdheve në ditët e ftohta; po, kur del dielli, fluturojnë tutje, por nuk dihet se ku kanë shkuar.
18 O mbret i Asirisë, barinjtë e tu po flenë, fisnikët e tu pushojnë; populli yt u shpërnda ndër male dhe kurrkush nuk po i mbledh.
19 Nuk ka ilaç për plagën tënde, plaga jote është vdekjeprurëse; të gjithë ata që do të dëgjojnë të flitet për ty, do të përplasin duart për fatin tënd. Sepse mbi kë nuk është ushtruar vazhdimisht ligësia jote?