Osea
Kapitull 13
1 Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.
2 Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: "Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat".
3 Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku.
4 "Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.
5 Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.
6 Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.
7 Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;
8 do t'i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t'u çaj kafazin e kraharorit; do t'i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t'i shqyejnë.
9 Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.
10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"?
11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.
12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.
13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.
14 Unë do t'i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t'i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.
15 Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar.
16 Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t'u çajnë barkun".