Jeremia
Kapitull 20
1 Pashhuri, bir i Imerit, prift dhe shef i kryeintendentëve në shtëpinë e Zotit, dëgjoi Jeremian që profetizonte këto gjëra.
2 Atëherë Pashhuri rrahu profetin Jeremia dhe e futi në burgun që ndodhej në portën e sipërme të Beniaminit pranë shtëpisë të Zotit.
3 Të nesërmen Pashhuri e nxori nga burgu Jeremian. Jeremia i tha: "Zoti nuk të quan më Pashhur, por Magor-Misabib.
4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë do të të braktis ty dhe tërë shokët e tu në dorë të tmerrit; ata do të bien nga shpata e armiqve të tyre dhe sytë e tu kanë për ta parë. Do ta jap tërë Judën në duart e mbretit të Babilonisë, që do t'i çojë në robëri në Babiloni dhe do t'i godasë me shpatë.
5 Përveç kësaj tërë pasuritë e këtij qyteti, tërë prodhimin e mundit të tij dhe të gjitha sendet e tij të çmuara, po, do t'i jap tërë thesaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre që do t'i plaçkisin, do t'i marrin dhe do t'i çojnë në Babiloni.
6 Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t'u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra".
7 Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.
8 Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.
9 Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.
10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".
11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t'ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.
12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.
13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.
14 Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!
15 Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: "Të ka lindur një bir mashkull", gjë që e mbushi me gëzim.
16 Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,
17 sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar për gjithnjë.
18 Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t'i mbaruar ditët e mia me turp?