Fjalët e urta
Kapitull 13
1 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
2 Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
3 Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
4 Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
5 I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
6 Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
7 Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
8 Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
9 Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
10 Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
11 Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo.
12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.
13 Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.
14 Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes.
15 Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
16 Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.
17 Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
18 Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
19 Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.
20 Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
21 E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.
22 Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.
23 Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.
24 Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
25 I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.