Kapitull 122

1 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.