Psalmet
Kapitull 106
1 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
23 Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte.
24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,
25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.
26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë,
27 dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet.
28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.
29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.
30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.
31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.
32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,
33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.
34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;
35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;
36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;
37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,
38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.
40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.
41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.
42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.
43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.
44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,
45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.
46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.
47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.