Ester
Kapitull 8
1 Po atë ditë mbreti Asuero i dha mbretëreshës Ester shtëpinë e Hamanit, armikut të Judejve; dhe Mardokeu erdhi para mbretit, të cilit Esteri i kishte shpjeguar se ç'ishte ai për të.
2 Kështu mbreti hoqi unazën që i kishte rimarrë Hamanit dhe ia dhe Mardokeut. Pastaj Esteri e caktoi Mardokeun mbi shtëpinë e Hamanit.
3 Esteri foli akoma para mbretit, ra në këmbët e tij dhe iu lut me lot ndër sy që të pengonte komplotin e keq të Hamanit, Agagitit, dhe planin që ai kishte menduar kundër Judejve.
4 Atëherë mbreti zgjati skeptrin prej ari në drejtim të Esterit; kështu Esteri u ngrit, mbeti në këmbë para mbretit
5 dhe tha: "Në se i duket mirë mbretit, në rast se kam gjetur hir në sytë e tij, në rast se çështja i duket gjithashtu e drejtë mbretit dhe në rast se gjej pëlqim nga sytë e tij, të shkruhet për të revokuar dokumentet e hartuara nga Hamani, bir i Hamedathas, Agagitit, që ai shkroi për të shkatërruar Judejtë që janë në të gjitha krahinat e mbretit.
6 Si do të mund të rezistoja në fakt duke parë fatkeqësinë që do të godiste popullin tim? Ose si do të mund të rezistoja duke parë shkatërrimin e fisit tim?".
7 Atëherë mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester dhe Judeut Mardoke: "Ja, unë i dhashë Esterit shtëpinë e Hamanit, dhe këtë e varën në trekëmbësh, sepse kishte dashur të shtrinte dorën e tij mbi Judejtë.
8 Ju vetë shkruani një dekret në favor të Judejve në emër të mbretit, si t'ju duket më mirë, dhe vuloseni me unazën mbretërore, sepse vendimi i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën mbretërore është i prerë".
9 Atëherë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji i Sivanit, u thirrën sekretarët e mbretit dhe sipas gjithë atyre që Mardokeu kishte urdhëruar, u dërguan shkrime Judejve, satrapëve, qeveritarëve dhe krerëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India deri në Etiopi, çdo krahine sipas shkrimit të saj, çdo populli sipas gjuhës së tij, dhe Judejve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.
10 Kështu ai shkroi në emër të mbretit Asuero, duke vënë vulën me unazën mbretërore, dhe i dërgoi dokumentet me anë të korierëve që ngisnin kuaj të shpejtë, të lindur nga kuaj të racës.
11 Me anë të këtyre dokumenteve u jepej Judejve, në çfarëdo qyteti që të ndodheshin, e drejta të bashkoheshin dhe të mbronin jetën e tyre, duke shkatërruar, duke vrarë dhe duke shfarosur tërë njerëzit e armatosur të çfarëdo populli o krahine që t'i sulmonin, duke përfshirë fëmijët dhe gratë, dhe të plaçkisnin pasuritë e tyre,
12 në një ditë të vetme, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero: ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit.
13 Një kopje e dekretit, i shpallur si ligj në çdo krahinë, duhet të nxirrej për të gjithë popujt, me qëllim që Judejtë të ishin gati për atë ditë të hakmerreshin kundër armiqve të tyre.
14 Kështu korierët të hipur mbi kuaj të shpejtë u nisën të nxitur dhe të shtypur nga urdhri i mbretit; dhe dekreti u nxuar në qytetin e Suzës.
15 Mardokeu doli nga prania e mbretit me një rrobe mbretërore të purpurt dhe prej liri të bardhë, me një kurorë të madhe prej ari dhe një mantel prej pëlhure liri në ngjyrë të kuqe flakë; në qytetin
16 Për Judejtë ishte dritë, gëzim, gaz dhe lavdi.
17 Në çdo krahinë dhe në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit dhe dekreti i tij, për Judejtë kishte gëzim dhe ngazëllim, bankete dhe ditë të lumtura. Dhe shumë nga pjestarët e popujve të vendit u bënë Judej, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë.