Gjyqtarët
Kapitull 20
1 Atëherë tërë bijtë e Izraelit lëvizën, nga Dani deri në Beer-Sheba dhe në vendin e Galaadit, dhe asambleja u mblodh si një njeri i vetëm përpara Zotit në Mitspah.
2 Krerët e tërë popullit, e gjithë fiseve të Izraelit u paraqitën përpara asamblesë së popullit të Perëndisë; ishin katërqind mijë këmbësorë, të aftë të përdornin shpatën.
3 (Dhe bijtë e Beniaminit dëgjuan që bijtë e Izraelit ishin ngjitur në Mitspah). Atëherë bijtë e Izraelit thanë: "Na tregoni, si u krye ky krim?".
4 Atëherë Leviti, burri i gruas që ishte vrarë, u përgjegj: "Unë kisha hyrë bashkë me konkubinën time në Gibeah të Beniaminit për të kaluar natën.
5 Por banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë në të cilën ndodhesha, dhe kjo për të më vrarë; por ata dhunuan përkundrazi konkubinën time dhe ajo vdiq.
6 Kështu unë mora konkubinën time, e preva copë-copë, dhe e dërgova nëpër gjithë territorin e trashëgimisë së Izraelit, sepse këta kryen një krim dhe një poshtërsi në Izrael.
7 Dhe ja, tani tërë ju, o bij të Izraelit, jepni mendimin dhe këshillën tuaj".
8 Atëherë tërë populli u ngrit si një njeri i vetëm, duke thënë: "Asnjë prej nesh nuk do të kthehet në çadrën e tij, asnjë prej nesh nuk do të kthehet në shtëpinë e tij.
9 Dhe tani, ja se ç'do t'i bëjmë Gibeahut: do të shkojmë kundër tij duke hedhur me short,
10 dhe do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë njerëz mbi njëqind, njëqind mbi një mijë dhe një mijë mbi dhjetë mijë, të cilët do të shkojnë të kërkojnë ushqime për popullin, me qëllim që duke shkuar kundër Gibeahut të Beniaminit të mund t'ia lajmë të gjitha poshtërsitë që ka kryer në Izrael".
11 Kështu tërë burrat e Izraelit u mblodhën kundër atij qyteti, të bashkuar si një njeri i vetëm.
12 Fiset e Izraelit dërguan pastaj njerëz në gjithë fisin e Beniaminit për t'i thënë: "Ç'është ky krim që është kryer ndër ju?
13 Prandaj na dorëzoni ata njerëz, ata kriminelë që janë në Gibeah, që t'i vrasim dhe të heqim të keqen nga Izraeli". Por bijtë e Beniaminit nuk pranuan të dëgjojnë zërin e vëllezërve të tyre, të bijve të Izraelit.
14 Bijtë e Beniaminit madje u mblodhën nga qytetet e tyre në Gibeah për të luftuar kundër bijve të Izraelit.
15 Atë ditë bijtë e Beniaminit të thirrur nga qytetet e tyre për t'u mbledhur ishin njëzet e gjashtë mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, pa llogaritur banorët e Gibeahut, që arrinin në shtatëqind burra të zgjedhur.
16 Midis tërë këtyre njerëzve kishte shtatëqind burra të zgjedhur, që ishin mëngjarashë. Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hoben kundër një fije floku, pa gabuar goditjen.
17 Njerëzit e Izraelit të thirrur për t'u mbledhur, pa përfshirë ata të Beniaminit, ishin katërqind mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë.
18 Kështu bijtë e Izraelit lëvizën, u ngjitën në Bethel dhe konsultuan Perëndinë, duke thënë: "Kush prej nesh do të nisë i pari luftën kundër bijve të Beniaminit?". Zoti u përgjegj: "Juda do të fillojë i pari".
19 Të nesërmen në mëngjes bijtë e Izraelit u nisën dhe e ngritën kampin e tyre kundër Gibeahut.
20 Njerëzit e Izraelit dolën kështu për të luftuar kundër Beniaminit dhe u rreshtuan për betejë kundër luftëtarëve të tij pranë Gibeahut.
21 Atëherë bijtë e Beniaminit dolën nga Gibeahu dhe po atë ditë shtrinë të vdekur për tokë njëzet e dy mijë burra të Izraelit.
22 Por populli, burrat e Izraelit, morën zemër përsëri dhe u rreshtuan përsëri për betejë në po atë vend ku ishin rreshtuar ditën e parë.
23 Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjegj: "Suluni kundër tyre".
24 Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.
25 Beniaminitët dolën për herë të dytë nga Gibeahu kundër tyre dhe shtrinë për tokë tetëmbëdhjetë mijë burra të tjerë nga bijtë e Izraelit, të gjithë të aftë të përdornin shpatën.
26 Atëherë tërë bijtë e Izraelit, domethënë tërë populli, u ngjitën në Bethel dhe qanë; mbetën aty përpara Zotit dhe agjëruan atë ditë deri në mbrëmje, dhe ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit.
27 Pastaj bijtë e Izraelit u konsultuan me Zotin (arka e besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty në atë kohë,
28 dhe Finehasi, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, shërbente në atë kohë para saj) dhe thanë: "A duhet të vazhdojë akoma të dal për të luftuar kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim, apo duhet të heq dorë nga një gjë e tillë?". Zoti u përgjegj: "Suluni, sepse nesër do t'i jap në duart tuaja".
29 Kështu Izraeli zuri një pritë rreth e rrotull Gibeahut.
30 Bijtë e Izraelit u vërsulën për të tretën herë kundër bijve të Beniaminit, dhe u rreshtuan për betejë në afërsi të Gibeahut si herët e tjera.
31 Bijtë e Beniaminit dolën kundër popullit dhe armiqtë e tyre i tërhoqën larg qytetit; dhe filluan të godasin dhe të vrasin, si herët e tjera, disa nga populli i Izraelit nëpër rrugët (nga të cilat njera shkon në Bethel dhe tjetra në Gibeah), dhe në fshatrat; ata vranë rreth tridhjetë veta.
32 Kështu bijtë e Beniaminit thanë: "Ja ku janë, të mundur para syve tona si herën e parë!". Por bijtë e Izraelit thanë: "Të ikim dhe t'i tërheqim larg qytetit, mbi rrugët kryesore!".
33 Atëherë tërë njerëzit e Izraelit lëvizën nga pozicionet e tyre dhe u rreshtuan për betejë në Baal-Thamar; ndërkaq njerëzit e Izraelit që ishin në pritë dolën nga vëndet e tyre të fshehta në fushën e Gibeahut.
34 Dhjetë mijë burra të zgjedhur në të gjithë Izraelin u vërsulën kundër Gibeahut; Beteja qe e ashpër, por Beniaminitët nuk e shihnin katastrofën që po u afrohej.
35 Kështu Zoti mundi Beniaminin para Izraelit; dhe bijtë e Izraelit vranë atë ditë njëzet e pesë mijë e njëqind burra të Beniaminit, të gjithë të zotë të përdornin shpatën.
36 Kështu bijtë e Beniaminit e kuptuan se ishin mundur. Izraelitët i kishin lëshuar terren Beniaminit, sepse kishin besim te njerëzit që kishin zënë pritë në afërsi të Gibeahut.
37 Njerëzit e pritës u hodhën menjëherë mbi Gibeahun; ata ecën përpara dhe vranë me shpatë gjithë banorët e qytetit.
38 Midis njerëzve të Izraelit dhe atyre që kishin ngritur pritën ishte caktuar një sinjal; këta të fundit duhet të bënin që të ngrihej një re e madhe tymi nga qyteti.
39 Njerëzit e Izraelit, pra, kishin kthyer krahët gjatë luftimit; dhe ata të Beniaminit kishin filluar të godisnin dhe të vrisnin rreth tridhjetë njerëz të Izraelit. Në fakt ata thonin: "Me siguri ata janë plotësisht të mundur para nesh si në betejën e parë!".
40 Por kur sinjali i kolonës së tymit filloi të ngrihet nga qyteti, ata të Beniaminit u kthyen prapa dhe ja, tërë qyteti ishte pushtuar nga flaka që po ngrihej në qiell.
41 Atëherë njerëzit e Izraelit u kthyen dhe njerëzit e Beniaminit i zuri një frikë e madhe, duke parë gjëmën e madhe që u kishte rënë.
42 Prandaj filluan të ikin përpara njerëzve të Izraelit në drejtim të shkretëtirës, por pa arritur t'i shmangen betejës; dhe ata që dilnin nga qyteti u vërsulën në mes tyre dhe i masakruan.
43 I rrethuan Beniaminitët, i ndoqën pa pushim dhe i luftuan deri përballë Gibeahut nga ana lindore.
44 Beniaminitët humbën tetëmbëdhjetë mijë njerëz, të gjithë burra trima.
45 Ata që mbetën gjallë kthyen kurrizin dhe ua mbathën në drejtim të shkretëtirës, të shkëmbit të Rimonit; dhe ata zunë rrugës pesë mijë prej tyre i ndoqën deri në Gidon dhe vranë dy mijë të tjerë.
46 Kështu numri i përgjithshëm i Beniaminitëve që u vranë atë ditë ishte njëzet e pesë mijë veta, të gjithë të zotë të përdornin shpatën, tërë njerëz trima.
47 Gjashtëqind burra, që kishin kthyer kurrizin dhe kishin ikur në shkretëtirë në drejtim të shkëmbit të Rimonit, mbetën aty katër muaj.
48 Pastaj Izraelitët u kthyen kundër bijve të Beniaminit dhe vranë me shpatë tërë banorët e qytetit, duke përfshirë edhe bagëtinë dhe gjithçka gjenin; u vunë flakën edhe tërë qyteteve që u dilnin përpara.