I GJONI
Kapitull 4
1 Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.
3 Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë.
4 Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.
5 Ata janë nga bota; prandaj flasin për gjërat e botës dhe bota i dëgjon.
6 Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.
7 Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.
10 Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.
11 Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.
12 Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.
13 Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë nga Fryma e tij.
14 Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës.
15 Ai që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.
16 Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.
17 Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.
18 Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.
20 Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?
21 Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.