James

1 2 3 4 5

Kapitull 2

1 Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.
2 Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
3 dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”
4 a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
5 Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
6 Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
7 A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?
8 Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten,” bëni mirë;
9 por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.
11 Sepse ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën,” ka thënë gjithashtu: “Mos vraj.” Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.
12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,
13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?
17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë.
24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.