LUKA
Kapitull 3
1 Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,
2 nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.
3 Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,
4 ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!
5 Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen
6 dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''.
7 Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.
9 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''.
10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''.
11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''.
12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''.
13 Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''.
14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''.
15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.
16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: ''Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.
17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet''.
18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.
19 Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,
20 U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.
21 Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap
22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: ''Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!''.
23 Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit;
24 bir i Mathatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janas, bir i Jozefit;
25 bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Nahumit, bir i Eslit, bir i Nagait;
26 bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës;
27 bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit;
28 bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit;
29 bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Mathatit, bir i Levit;
30 bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit;
31 bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit;
32 bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit;
33 bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës;
34 bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit;
35 bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës;
36 bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut;
37 bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit;
38 bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.