MATEU
Kapitull 22
1 Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: 
2 ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. 
3 Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. 
4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë". 
5 Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. 
6 Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. 
7 Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre. 
8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. 
9 Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni." 
10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar. 
11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; 
12 dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën. 
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh". 
14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''. 
15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë. 
16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve. 
17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''. 
18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë? 
19 Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar. 
20 Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''. 
21 Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''. 
22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën. 
23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën 
24 duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. 
25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet. 
26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati. 
27 Në fund vdiq edhe gruaja. 
28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''. 
29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë. 
30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë. 
31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë: 
32 "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''. 
33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij. 
34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. 
35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë: 
36 ''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''. 
37 Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". 
38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. 
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". 
40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''. 
41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti: 
42 ''Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?''. Ata i thanë: ''I Davidit''. 
43 Ai u tha atyre: ''Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë: 
44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"? 
45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?''. 
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.