Predikuesi

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12

Kapitull 7

1 Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.
2 Éshtë më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi se sa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu, dhe kush rron ka për të vënë mend.
3 Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë.
4 Zemra e të urtit është në shtëpinë ku mbahet zi, por zemra e budallenjve është në një shtëpi të gëzuar.
5 Éshtë më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit se sa të dëgjojë këngën e budallenjve,
6 sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.
7 Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.
8 Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenar.
9 Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.
10 Mos thuaj: "Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?", sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.
11 Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.
12 Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.
13 Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrëmbër?
14 Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njerën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.
15 Pashë gjithçka në ditët e kotësisë sime. Ndodh që i drejti të vdesë në drejtësinë e vet dhe që i pabesi të jetojë gjatë në ligësinë e tij.
16 Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërohesh?
17 Mos ji tepër i keq dhe mos u trego budalla. Pse kërkon të vdesësh para kohës sate?
18 Éshtë mirë që ti të kapesh pas kësaj gjëje dhe të mos heqësh dorë prej saj, sepse ai që ka frikë Perëndinë do t'u shmanget tërë këtyre gjërave.
19 Dituria e bën të urtin më të fortë se dhjetë të fuqishëm në një qytet.
20 Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.
21 Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt,
22 sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.
23 Unë i hetova të gjitha këto gjëra me dituri. Thashë: "Do të bëhem i urtë", por dituria është mjaft larg nga unë.
24 Një gjë që është kaq larg dhe kaq e thellë, kush mund ta gjejë?
25 Atëherë e vura zemrën time të njohë, të hetojë dhe të kërkojë diturinë dhe shkakun e gjërave dhe të njohë ligësinë e marrëzisë dhe budallallëkun e marrëzisë;
26 dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo.
27 Ja ajo që gjeta", thotë Predikuesi, "duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre.
28 Atë që unë po kërkoj ende, por nuk e kam gjetur; një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua në mes gjithë atyre nuk e gjeta.
29 Ja, vetëm këtë gjeta: Perëndia e ka bërë njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë marifete.