|
Te shtunen, me date 4 nentor 2006, tek Kisha e Perendise ne Tirane, u be prezantimi i Dhjates se Re (Versioni Diadoti i Ri) per biblen e pare te studimit ne shqip me emrin “Bibla e Studimit Jeta e Plote”. “Bibla e Studimit Jeta e Plotë” është një Bibël e cila përveç tekstit biblik përmban edhe shënime në formë komentari për shumë vargje dhe si e tillë ajo është ideale për pastorët, studiuesit dhe për të gjithë ata besimtarë të cilët duan ta marrin më seriozisht studimin e Biblës.
Kjo Bibël studimore ka një perspektivë apo qasje pentakostale/karizmatike e cila ka ndikuar edhe në përcaktimin e emrit si “Jeta e Plotë”. Ndërkohë, titulli i versionit origjinal në anglisht është “Full Life Study Bible”. Kjo Bibël studimi përmban shënime studimi të shkruara në fund të pothuajse çdo faqeje si dhe shumë artikuj, harta, tabela dhe parathënie për çdo libër të Dhjatës së Re (në parathënie përfshihen shënime për autorin, tema, data e shkrimit, sfondi historik i librit, qëllimi, një vështrim i përgjithshëm mbi secilin libër, karakteristika të veçanta dhe një plan leximi ditor). Në Biblën e studimit është i përfshirë edhe një sistem referencash të kryqëzuara studimi, një konkordancë, një indeks për subjektet dhe një indeks për të gjetur temat. Versioni i tanishëm në shqip përmban vetëm Dhjatën e Re. Ndërkohë, teksti i Biblës është i njëjti përkthim që përdoret në Shqipëri, pra versioni Diodati i Ri nga Shoqata Shqiptare e Biblës (The Albanian Bible Society – ABS). Termi "Jeta e Plotë" i referohet theksit të veçantë që i vihet perspektivës, doktrinës dhe përvojës pentakostale/karizmatike të kësaj Bible studimi. Origjina e “Biblës së Studimit Jeta e Plotë” Bibla e Studimit Jeta e Plotë u përgatit nga misionari i Asamblesë së Perëndisë në Brazil, Donald Stamps dhe u publikua për herë të parë në vitin 1991. Z. Stamps, vdiq nga kanceri pak javë para se vepra e tij të botohej. Ai u shpreh duke thënë: "Qëllimi kryesor i kësaj Bible studimi është t’ju çojë ju, lexuesit, drejt besimit në Shkrimin e Shenjtë dhe sidomos drejt një besimi më të thellë në mesazhin apostolik të Dhjatës së Re dhe t’ju ndihmojë të përjetoni po atë përvojë të Dhjatës së Re që u bë e mundur nga plotësia e Krishtit që jeton në kishë (Efe. 4:13) si dhe nga plotësia e Frymës së Shenjtë që jeton tek besimtari (Vep. 2:4; 4:31).” Takimi prezantues u drejtua nga Herb Griffin, drejtori i shtëpisë botuese Life Publishers (sponsor i kësaj Bible studimi) dhe Kurt Plagenhoef, presidenti i Këshillit të Përgjithshëm të Asamblesë së Perëndisë në Shqipëri. |