.: albKristian.com
Kryefaqja
Aktualitet
Materiale
Apologjia
Bibla Shqip
Pyetje-Pergjigje
Faqe te Krishtera
Fjalori
Kerko
Me Te Fundit...
Info-Kulture
Faqja e Vjeter
Te pranishem...
Ne kemi 18 vizitore nė linjė
No Members Online.
Logohuni
Zbulesa Biblike Printo E-mail
Çfarë do të thotë të arrish Perëndinë? A ka çdo njeri dëshirë të ketë miqësi dhe të komunikojë me diçka më të lartë dhe më të madhe se vetë ai? Brenda zemrës së njeriut ekziston vetëdija për një fuqi në Univers që është më e madhe se fuqia njerëzore. Këtë fuqi ne e quajmë Perëndi.

 

Ata të cilët e kanë përjetuar fuqinë e Tij në jetët e tyre, e njohin Atë si një qenie personale dhe mbinatyrore. Ne kemi një dëshirë të fortë brenda nesh të dimë më shumë rreth Tij. Disa, nëpërmjet përpjekjeve të tyre përpiqen ta kuptojnë më mirë Perëndinë, por mëkati na ka bërë të gjithëve të paaftë që të kuptojmë gjërat frymërore pa ndihmën e Tij. Perëndia, në dashurinë e Tij, ka siguruar një zbulesë të shpëtimit të Tij për ne.
 
Cili është modeli biblik me të cilin Perëndia ia zbulon veten e Tij njeriut? Apo mos vallë zbulesa është vetëm kaq? Perëndia ka vendosur parime dhe modele për të zbuluar veten e Tij. Zbulesa biblike ka një qëllim: ajo i shfaq njeriut Perëndinë, zbulon të vërtetën dhe siguron bashkësi. Le t’i shohim këto funksione me hollësi. 

Zbulon Perëndinë
Funksioni i parë i zbulesës biblike është t’ju zbulojë qenieve njerëzore Perëndinë. Perëndia merr hapin e parë duke zbuluar veten e Tij në mënyrë që njerëzit të mund ta gjejnë dhe ta njohin Atë.

Unë kam një djalë të vogël. Ndonjëherë ne luajmë së bashku. Një nga lojërat e tij të preferuara është “kukafshehthi”. Unë fshihem diku në shtëpi dhe biri im më kërkon. Kur më gjen, ai kërcen lart e poshtë dhe bërtet nga gëzimi. Nuk është e vështirë të më gjejë sepse zakonisht unë fshihem në vende që ai i di.

Një ditë vendosa të fshihem në një vend të ri. E thirra dhe i thashë të më kërkonte. Menjëherë ai vrapoi tek vendet ku isha fshehur gjithmonë, por nuk më gjente dot. Më në fund, ai bërtiti “Babi, ku je? Dil nga vendi ku je fshehur!” Pastaj ai mu afrua dhe unë i thirra përsëri. Kur zbuloi drejtimin e zërit tim, ai vrapoi drejt meje dhe më gjeti. Ai më përqafoi dhe shumë i emocionuar bërtiti “Të gjeta!”. Ky ishte një moment gëzimi për të dy ne.

Tani, a më gjeti me të vërtetë biri im mua? Po, më gjeti, por nuk më gjeti derisa unë ia zbulova veten time atij. Unë ndërmora hapin e parë, dhe kur ai e ndoqi atë, më gjeti. Një përkufizim i thjeshtë i fjalës zbulesë është “ajo që zbulohet, ose bëhet e ditur, ajo që është fshehur ose që nuk dihej më parë”.

Gjatë gjithë kohës njerëzit janë përpjekur të njohin dhe të kuptojnë Perëndinë nëpërmjet ndërgjegjes dhe aftësive të arsyetimit të tyre, por historia shënon dështimin e tyre për të gjetur Perëndinë me anë të njohurisë së vet.

Edhe njerëzit më të mëdhenj dhe më të ditur kanë dështuar në kërkimin e tyre për Perëndinë. Nëse duam të njohim Perëndinë, duhet të ndihmohemi prej Tij. Ai duhet të na e bëjë veten e Tij të ditur në mënyrë që ne të mund ta gjejmë Atë. Ai na e ka shfaqur veten e Tij duke dërguar Birin e Tij në botë. Jezusi atëherë deklaroi: “Kush më ka parë mua ka parë Atin” (Gjoni 14:9). Ai gjithashtu u tha dishepujve të Tij: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur ju” (Gjoni 15:16). Prandaj, Jezusi na deshi dhe na zgjodhi përpara se ne ta njihnim Atë. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjonit 4:19). Për shkak se Ai na deshi, zgjodhi të na e zbulonte veten e Tij: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai e bëri të njohur” (Gjoni 1:18).

Zbulon të Vërtetën
Funksioni i dytë i zbulesës biblike është për t’i sjellë burrit dhe gruas të vërtetat që ata nuk i dinin më parë.

Kur iu fsheha djalit, ai kërkoi në vendet ku priste të më gjente, por unë nuk isha atje. Ai nuk e dinte vendin tim të fshehjes. Gjatë gjithë kohës, njerëzit e kanë kërkuar Perëndinë nëpërmjet traditave të tyre. Ata mendojnë se mund ta gjejnë Perëndinë duke mbajtur vazhdimisht këto tradita. Ata nuk e kuptojnë se Perëndia nuk gjendet në traditat e njerëzve. Kur Perëndia zbulon veten e Tij, njerëzit kuptojnë se kanë njohur për Perëndinë që nuk e kishin njohur më parë. Ne mund të dimë diçka rreth Perëndisë nga krijimi i Tij ose nëpërmjet arsyes sonë, por vetëm nëpërmjet zbulesës biblike mund ta njohim vetë Perëndinë.

Njohuria që na aftëson të njohim Perëndinë si person ashtu edhe si fuqi, nuk vjen nga kjo botë—kjo njohuri është hyjnore dhe e mbinatyrshme dhe na vjen vetëm nga zbulesa biblike. “Dhe njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato hetohen frymërisht.” (1 Korintasve 2:14). Kështu, jo vetëm që kemi nevojë për një zbulesë nga Perëndia, por kemi nevojë edhe për Frymën e Shenjtë për ta kuptuar atë zbulesë.

Siguron Bashkësi
Funksioni i tretë i zbulesës biblike është se krijon një rrugë që njerëzit të kenë bashkësi me Perëndinë duke e njohur Atë.

Pse dëshiron Perëndia që ne ta gjejmë dhe ta njohim Atë? Të njëjtat arsye që unë doja që biri im të më gjente mua—në mënyrë që ne të mund të jemi të gëzuar dhe të kemi bashkësi me njëri-tjetrin. Perëndia na e ka zbuluar veten e Tij në mënyrë që ne ta njohim Atë personalisht dhe të kemi bashkësi me Të.

Zbulesa biblike jo vetëm që zbulon se kush është Perëndia, por edhe se Ai dëshiron bashkësi me njerëzit. Nëse dy njerëz qëndrojnë të ndarë dhe nuk e njohin njëri-tjetrin, midis tyre nuk ka komunikim ose bashkësi.

Duke na e zbuluar veten e Tij, Perëndia na siguron një jetë në bashkësi me Të. Ai do të na sjellë në një marrëdhënie familjare në të cilën ne mund ta quajmë Atë “At’ Qiellor”.

 

Tani, le të përmbledhim shkurtimisht mendimet tona kryesore mbi zbulesën biblike:

1) Perëndia duhet t’ia zbulojë veten e Tij njeriut—Ai e nis procesin;

2) Perëndia, në fillim i zbulon njeriut të vërtetat e fshehta rreth Tij; dhe

3) këto zbulesa bëjnë të mundur që njeriu të vijë në një bashkësi me Perëndinë. Ai ka zgjedhur që të na e japë këtë zbulesë nëpërmjet Fjalës së Tij të shkruar, Biblës. Kjo quhet zbulesë biblike. (Ai gjithashtu ka zgjedhur ta zbulojë veten e Tij nëpërmjet Birit të Tij.)

Modifikimi i fundit ( e premte , 27 tetor 2006 )
< Mbrapa   Pėrpara >
Lexime te tjera me interes...
Menuja Shtese
Konkursi i Poezisė
Abonohu - BULETINI
Perkushtim-Spurgeon
Forumi
Galeria
Na Kontaktoni
Lutuni per...
E-mail
Admin
Konkursi i Poezise se Krishtere
albKristian.com organizon “Konkursin e Poezisë së Krishterë”
Spurgeon

albKristian.com - Portali Krishtere Shqiptar. Copyright (c) 2002 - 2008