 Duke filluar që nga data 13 shtator deri më 12 tetor, miqtë tanë myslimanët anë e mbanë botës fillojnë festimin e muajit të Ramazanit. Ky muaj nënkupton muajin e agjerimit dhe lutjeve (faljen - namazin). Është muaji që çdo besimtari mysliman i ofron një mundësi më të mirë për faljen e mëkateve dhe ofron siguri më të madhe për shpëtimin e Allahut.
Në fjalët e një prej faqeve kryesore myslimane shqiptare në internet Ramazani “është muaji që jep një mundësi për falje nga Allahu dhe shpëtim nga mëkatet tona. Është muaji ku bëjmë vepra të mira dhe japim lëmoshë. Është muaji kur hapen dyert e Xhenetit dhe shpërblimet për punët tona janë të lartësuara shumëfish. Është muaji ku lutjet pranohen, dhe statusi i besimtarit është i lartësuar. Është muaji ku mëkatet falen. Allahu dhuron më shumë mëshirë (bekime) për robërit e Tij në muajin e Ramazanit. Ky është muaji i agjërimit që është një nga pesë shtyllat e islamit. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, agjëroi gjatë këtij muaji dhe i udhëzoi ndjekësit e tij që të bëjnë të njëjtën gjë. Ai na tregoi se kushdo që e agjëron këtë muaj me besim, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, subhanehu ve teala, do t’i ketë të gjitha mëkatet e tij të kaluara, të falura. Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, gjithashtu na tregoi se kushdo që qëndron në namaz (bën namaz) gjatë gjithë këtij muaji do t’i falen të gjitha mëkatet e tij.” - albislam.com Një nga Pesë Shtyllat e Islamit Agjerimi në muajin e Ramazanit është edhe një nga shtyllat e besimit Islam, kjo bazuar edhe mbi fjalët e Muhamedit i cili ka thënë se: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i muajit të Ramazanit dhe kryerjes së haxhit për atë që ka mundësi.” (Sahihul Buhari dhe Muslim) Çfarë është Ramazani? Ramazani eshte nje muaj i vecante dhe teper i shenjte kur muslimanet agjerojne;
Ramazani eshte nje nga pese shtyllat e fese Islame;
Ramazani eshte muaji i nente i Kalendarit Islamik (sipas Henes);
Ramazani eshte muaji ne te cilin ajetet e para te Kuranit i’u shpallen Profetit Muhamed.
Eshte kohe adhurimi dhe meditimi; kohe per te reflektuar thelle brenda vetes, per te treguar devocion ndaj Zotit dhe vete-kontroll; eshte kohe per te forcuar lidhjet familjare dhe ato shoqerore.
Dalja e Henes se Re ne fund te Ramazanit shenon festimin e Bajramit te Madh. Ndërkohë, besimtarëve myslimanë u thuhet që nëpërmjet agjerimit dhe faljes së rregullt ata mund të mësojnë se si të bëhen më të devotshëm në besimin e tyre duke u pastruar njëkohësisht nga mëkatet dhe veset e këqija me qëllimin final që të fitojnë sa më tepër favor në sytë e Allahut. Agjerimi nga prespektiva e krishterë Me këtë rast duhet të përmendim faktin që agjerimi është një praktikë e vjetër e cila praktikohej që në kohët e Dhjatës së Vjetër si p.sh. nga Moisiu dhe Elija, të cilët agjeruan nga 40 ditë, por edhe nga plot heronj të tjerë të besimit. Pra praktikimi i agjerimit si një mënyrë që na ndihmon në përkushtimin tonë ndaj Perëndisë është dukshëm i dobishëm dhe realisht duhet të praktikohet rregullisht nga besimtarët edhe sot, pamvarësisht faktit që ai nuk është i detyrueshëm si në formën e një urdhëri të prerë. Në Bibël nuk është se na kërkohet ndonjë formë apo metodë të caktuar agjerimi, por Jezusi tha që, “kur agjeroni...” (Mateu 6:16), duke bërë të nënkuptonte që edhe ndjekësit e Tij duhet ta ndjekin shembullin dhe mësimet e Tij. Pra edhe në rastin e besimtarëve të krishterë agjerimi shërben si shprehje e jashtme e përkushtimit tonë ndaj Perëndisë, duke qenë të vullnetshëm që t’ia mohojmë vetvetes ushqimin për hir të dashurisë së Tij. Por kjo nuk bëhet për faljen e mëkateve dhe as për të fituar favor, pasi dashuria e Tij është e mjaftueshme. Pse është kjo e rëndësishme për ne si besimtarë të krishterë ? Vendosja e të gjitha atyre citimeve të mësipërme ishte me qëllim që të na ndihmojë ne si besmitarë të krishterë të kuptojmë se sa seriozisht u kërkohet myslimanëve që ta marrin periudhën e Ramazanit. Megjithëse nuk është detyruese që besimtarët myslimanë ta mbajnë agjerimin, një numër i konsiderueshëm prej tyre zgjedhin ta mbajnë të plotë, që në vetvete është një tjetër tregues i seriozitetit dhe përkushtimit që ata kanë në besimin e tyre. Personalisht jam i bindjes që edhe ne si besimtarë të krishterë duhet të nxitemi në besimin tonë, jo nga doktrinat fetare, por nga përkushtimi i besimtarëve myslimanë. Jam i bindjes që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrë që të mos fshihemi mbrapa paragjykimeve tona apo neglizhencës që shpesh herë karakterizon dëshminë tonë si besimtar. Por mbi të gjitha dua që ne të inkurajohemi në vetvete dhe me njëri-tjetrin, dhe ta marrim këtë periudhë në mënyrë sa më serioze në lutje. Njëkohësisht, me sinqeritet të plotë përpara Perëndisë le të hapim zemrat për t’u lutur dhe kërkuar që të bëhet vullneti i Tij në jetët e miqve dhe shokëve tanë myslimanë. Pra le të jetë kjo një periudhë lutje specifike për ta. Nuk do ishte aspak gabim nëse edhe ne si besimtarë të krishterë do zgjidhnim të agjeronim gjatë këtij muaji. Nuk është e thënë që të kemi një formë të caktuar agjerimi, por e rëndësishme është që të agjerojmë në mënyrë të rregullt, qoftë duke eleminuar ushqimin gjatë ditës për disa ditë, ose duke agjeruar ditë të caktuara të javës, ose duke eleminuar/ndaluar së bëri diçka tjetër që mund të na pengojë gjatë kësaj periudhe. Por mbi të gjitha është e rëndësishme që të lutemi rregullisht, mundësisht çdo ditë, një herë ose disa herë. Mund të lutemi vetëm ose edhe me besimtarë të tjerë, pra në mënyrë të organizuar për të qenë edhe ne të qëllimshëm në atë që bëjmë. Edhe tani ndërsa mbaroj këtë artikull duke shpresuar që ai do të ketë impaktin e duhur në jetët e gjithësecilit që e lexon, nga ana tjetër mendja ime dekurajohet duke menduar që unë në vetvete nuk jam i denjë për t’i shërbyer Perëndisë dhe ungjillit të Tij. Por ajo që besimi dhe Fjala e Perëndisë më kanë mësuar prej kohësh është fakti që nëse unë i’a dorëzoj jetën, mendjen dhe fuqinë time Atij, atëhere Ai është plotësisht në gjendje që të bëj me mua gjëra që unë as që nuk mund t’i kisha ëndërruar ndonjë herë. Qoftë jeta jonë një dëshmi e fuqisë, shpëtimit dhe dashurisë së Tij në ne. ------------------ Citimet janë marrë nga: http://burimi.net/ramazan.htm http://albislam.com/artikuj%5Cartikull.asp?NrArtikull=331 Autor: Elvis Plaku Shenim: (Me këtë rast ju njoftojme se ne kemi marre lejen per te publikuar pjeserisht materialet e broshures "30-Ditet" e cila u ben thirrje besimtareve te krishtere qe te luten gjate 30 diteve te Ramazanit sipas rajoneve, vendeve dhe popujve ku banojne myslimanet dhe nevojat e tyre perkateve. Per me teper vizitoni faqen tone "30-Ditët" ose faqen ne anglishtt www.30-days.net)
|