Cili është personaliteti më i shquar i të gjitha kohërave? Udhëheqësi më i madh? Mësuesi më i madh? Cili ka bërë më shumë të mira për njerëzimin? Cili ka bërë jetën më të shenjtë si askush tjetër?
Shkoni në çdo vend të botës sot. Bisedoni me njerëz të çdo feje. Pavarësisht nga përkushtimi ndaj fesë së tyre, nëse marrin vesh sadopak nga historia, do të pranojnë se kurrë nuk ka ekzistuar një njeri si Jezusi i Nazaretit. Ai është personaliteti më i pashoq i të gjitha kohërave.
Jezusi ndryshoi rrjedhën e historisë. Madje edhe data e gazetës suaj dëshmon faktin se Jezusi i Nazaretit ka jetuar në tokë afro 2000 vjet më parë (P.K. do të thotë "Para Krishtit", kurse E.J. është shkurtimi i "era jonë" , latinisht "anno domini", që përkthehet "në vitin e Zotit tonë".
Po çfarë e bën këtë njeri kaq të veçantë? Ku dallohet Jezusi nga të tjerët?
ARDHJA E TIJ ISHTE PARATHËNË
Qindra vjet para lindjes së Krishtit, Shkrimi i Shenjtë mbante të shkruara fjalët e profetëve të Izraelit, që parashikonin ardhjen e Jezus Krishtit. Dhiata e Vjetër, shkruar nga shumë vetë gjatë një periudhe 1500 vjeçare, përmban më shumë se 300 profeci që përshkruajnë ardhjen e Tij. Të gjitha këto detaje u bënë realitet, duke përfshirë këtu lindjen e Tij të mbinatyrshme, jetën e Tij të papërlyer, mrekullitë e Tij të shumta, vdekjen dhe ringjalljen e Tij.
JETA DHE MESAZHI I TIJ SJELLIN NDRYSHIME
Shikoni jetën dhe ndikimin e Jezusit të Nazaretit, Krishtit, gjatë gjithë historisë dhe do të vini re se Ai dhe mesazhi i Tij kanë sjellë gjithnjë ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve dhe kombeve. Kudo që ka shkuar Krishti, atje vlera njerëzore dhe të drejtat e njeriut janë njohur dhe stimuluar, janë hapur shkolla dhe universitete, janë hartuar ligje për mbrojtjen e fëmijëve, është zhdukur skllavëria dhe janë bërë ndryshime të shumta në të mirë të njerëzimit.
Gjithashtu, jeta private e individit ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. P.sh., Lju Uollas, gjeneral dhe gjeni me famë, njihej si ateist. Ai studioi dy vjet në bibliotekat më në zë të Europës dhe Amerikës për të kërkuar të dhëna që të mund të shkatërronin njëherë e përgjithmonë Krishterimin. Ndërsa po shkruante kapitullin e dytë të një libri që kishte në plan për ta botuar, ai papritur e pa veten të ulur në gjunjë, duke i thirrur Jezusit: “Perëndia dhe Zoti im.” Për shkak të provave të padiskutueshme, ai nuk mund ta mohonte se Jezu Krishti ishte Biri i Zotit. Më vonë, Lju Uollas shkroi librin “Ben Hur”, një nga romanet madhore të letërsisë angleze, që trajton ngjarje të kohës në të cilën ka jetuar Krishti.
Po kështu, K.S.Ljuis, profesor në Universitetin e Oksfordit në Angli, ishte agnosticist dhe për vite me radhë e mohoi hyjninë e Krishtit. Por edhe ai, me ndershmëri intelektuale, iu përkushtua Jezusit, duke e quajtur Zot dhe Shpëtimtar të tij, pasi studioi fakte të panumërta për hyjninë e Tij. Bashkë me Uollasin dhe Ljuisin janë dhe miliona të tjerë që dëshmojnë se, jo vetëm që janë bindur se Krishti është i gjallë, por edhe se kanë përjetuar ndryshimin e plotë që Krishti u ka bërë jetëve të tyre.
I RINGJALLUR
Jezusi i Nazaretit u mbërthye në kryq, u varros në një varr të marrë hua dhe tri ditë më vonë u ringjall së vdekuri. Krishterimi është unik në këtë drejtim. Çdo argument për vërtetësinë e Krishterimit varet nga dëshmia e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit.
Nëpër shekuj, pjesa dërrmuese e dijetarëve, të cilët kanë shqyrtuar provat e ringjalljes, kanë besuar dhe akoma besojnë se Jezusi është i gjallë. Pas shqyrtimit të dëshmisë për ringjalljen, dhënë nga autorët e ungjijve, Simon Grinlif, një autoritet mbi çështjet legale në Institutin e Lartë të Drejtësisë në Harvard, arriti në këtë përfundim: "Në qoftë se Jezusi nuk do të ishte ngritur në të vërtetë nga varri dhe, në qoftë se ata nuk do të ishin shumë të sigurt për këtë fakt, do të ishte e pamundur që të këmbëngulnin në mbrojtjen e të vërtetave që kishin thënë me gojën e tyre." Xhon Singëllton Kopli, i njohur si një nga juristët më të mëdhenj në historinë e Britanisë, komentonte: "Unë e di shumë mirë se ç’do të thotë dëshmi dhe ju them, se një dëshmi të tillë si ajo për ringjalljen nuk është hedhur poshtë ende."
ARSYET PËR BESIM NË RINGJALLJEN
Së pari, Jezusi vetë e parashikoi vdekjen dhe ringjalljen e Tij, dhe vdekja dhe ringjallja e Tij ndodhi krejtësisht siç e kishte parathënë Ai. Shikoni: Luka 18:31-33.
Së dyti, ringjallja ishte i vetmi shpjegim i pranueshëm për varrin e Tij bosh. Një lexim i kujdesshëm i ngjarjes biblike tregon se varri ku ata shtrinë trupin e Jezusit ruhej me vëmendje nga ushtarët romakë dhe ishte i mbyllur me një gur të madh. Në qoftë se, siç pretendojnë disa, Jezusi nuk ishte i vdekur, por i dobësuar, rojet dhe guri do ta kishin penguar largimin e Tij – ose përpjekjet e dishepujve për ta shpëtuar. Armiqtë e Jezusit nuk do ta kishin marrë kurrë kufomën e Tij, sepse mungesa e kufomës në varr do t’i shërbente nxitjes së besimit në ringjalljen e Tij.
Së treti, ringjallja është i vetmi shpjegim për shfaqjet e Jezu Krishtit para dishepujve të Tij. Pas ringjalljes, Jezusi iu shfaq të paktën dhjetë herë atyre që e njihnin dhe në një rast e panë afro 500 njerëz. Zoti Jezus e vërtetoi se këto shfaqje nuk ishin haluçinacione. Ai hëngri e piu me ta dhe ata e prekën.
Së katërti, ringjallja është i vetmi shpjegim i arsyeshëm për fillimin e Kishës së krishterë. Kisha e krishterë është deri tani institucioni më i madh që ekziston ose ka ekzistuar në historinë botërore. Më shumë se gjysma e predikimit të parë të krishterë, i përkiste ringjalljes (Veprat e Apostujve 2:14-36). Është e kuptueshme, Kisha e hershme e dinte se kjo ishte baza e mesazhit të saj. Armiqtë e Jezusit dhe të pasuesëve të Tij mund ta kishin mohuar këtë në çdo kohë, vetëm duke paraqitur kufomën e Jezusit.
Së pesti, ringjallja është i vetmi shpjegim logjik për jetët e transformuara të dishepujve. Ata e braktisën Atë para ringjalljes; pas vdekjes së Tij, ata u dekurajuan dhe u frikësuan. Ata nuk e prisnin që Jezusi të ngjallej së vdekuri (Luka 24:1-11). Megjithatë, pas ringjalljes së Tij dhe përvojës së tyre në ditën e Rrëshajëve, këta njerëz të zhgënjyer u transformuan me anë të forcës së Krishtit të ringjallur. Në emrin e Tij ata përmbysën botën. Shumë humbën jetën për besimin e tyre; të tjerët u persekutuan tmerrësisht. Qëndrimi i tyre i guximshëm nuk ka kuptim i ndarë nga bindja e tyre se Jezu Krishti u ngjall së vdekuri – një fakt për të cilin ia vlente të vdisnin.
ZOT, MASHTRUES APO I MARRË Në librin e tij të famshëm "Thjesht Krishterim", C.S. Ljuis shpall: "Një njeri, i cili është thjesht njeri dhe thotë ato gjëra që ka thënë Jezusi, nuk mund të jetë një mësues i madh morali. Ai do të jetë, ose i lojtur nga fiqiri – deri në atë shkallë sa e quan veten 'një vezë e zier' – ose djalli vetë. Duhet të zgjidhni! Ose ky ishte dhe është Biri i Zotit, ose ndryshe një i marrë apo më keq se kaq. Ose quajeni budalla, ose bini para këmbëve të Tij dhe quajeni Perëndi dhe Zot. Po le të mos arrijmë në një përfundim jologjik, duke pohuar se Ai ishte thjesht një mësues i madh njerëzor. Për hyjninë e Tij nuk ka vend për dyshim."
Cili është Jezusi i Nazaretit për ju? Jeta juaj në këtë tokë dhe në përjetësi varet nga përgjigjja që do t’i jepni kësaj pyetjeje.
Shumë fe u themeluan nga njerëzit dhe mbështeten në filozofitë, rregullat dhe normat e sjelljes të vendosura po nga njerëzit. Shikojini këto fe pa themeluesit e tyre: nuk kanë ndryshim në vazhdimësi. Por, nëse nxjerr Jezu Krishtin jashtë Krishterimit, nuk do të mbetet asgjë. Krishterimi biblik nuk është vetëm një filozofi e jetës, as standard etik apo bindje kundrejt ritualeve fetare. Krishterimi i vërtetë mbështetet në një marrëdhënie të fuqishme jetësore me Shpëtimtarin e ringjallur.
ZOTI I GJALLË Për shkak të ringjalljes së Jezusit, dishepujt e Tij të vërtetë nuk ndjekin thjesht kodin etik të një themeluesi të vdekur, por vendosin një marrëdhënie personale me Zotin e gjallë. Jezu Krishti, me besnikëri, bekon dhe pasuron jetën e të gjithë atyre që e besojnë dhe i binden Atij.
Gjatë shekujve, miliona njerëz e kanë pranuar dhe njohur denjësinë e Jezu Krishtit, duke përfshirë shumë nga ata që kanë patur ndikim të fuqishëm mbi botën.
Filozofi dhe shkrimtari francez Blez Paskal, foli për nevojën e njeriut për Jezusin, kur tha: "Ekziston një boshllëk i formuar nga Zoti në zemrën e çdo njeriu, të cilin vetëm Zoti mund ta mbushë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit." A do që ta njohësh Krishtin personalisht si Shpëtimtarin tënd të gjallë? Sado e guximshme që të duket, ti e ke këtë mundësi! Jezusi mezi pret të vendosë një lidhje dashurie dhe personale me ty. Për këtë, Ai i ka marrë tashmë masat e nevojshme.
Dr. Uilliam R. Brajt
Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja "Jam Dakord".
|