Lavdia dhe madhështia i takon vetëm Zotit sepse Ai na krijoi që ne ti shërbejmë dhe ta adhurojmë vetëm atë, Atin tonë në qiell, Jezus Krishtin. Para 3 vjetësh nuk e mendoja kurrë se jeta ime do merrte një drejtim krejt të ri.
Unë u largova nga Shqipëria kur isha 18 vjeç për të studiuar jashtë vendit në Malajzi në një institucion fetar. Uria për tu afruar sa më shumë me Zotin, pasi si unë dhe shumë shqiptarë u rritëm nën frymën e komunizmit si ateist, e kjo bëri që në dy vitet e para ti kushtohesha seriozisht fesë islamike. Mësova se si të falem, edhe pse nuk i isha i sigurt nëse i thosha në rregull fjalët në arabisht. Por, një tragjedi ndryshoi gjithçka. Shoku im i dhomës, një djalë i përsosur, pësoi një aksident me biçikletë dhe pas një javë në koma, vdiq. Nuk e kuptova se ç’po ndodhte. Një nga djemtë më të mirë e të ndershëm qe kisha njohur, shoku më i ngushtë në jetë, djali më i vogël i familjes (të persekutuar), ëndrra e familjes së tij… mbaroi… kaq ishte jeta për të. Shumë pyetje lindën kundrejt Zotit por nuk gjeta përgjigje që të kënaqesha. I vetmi mendim ngushëllues ishte se Zoti e mori në parajsë shpejt se përndryshe ai do mëkatonte dhe do përfundonte në ferr… Nuk e di por në atë kohë këto ide më vinin në mendje. Jeta vazhdoi me të mirat e të këqijat e saj. Nuk po i kushtoja më rëndësi nëse po falesha 5 herë në ditë apo s’po falesha fare. Fillova të shoqërohesha me njerëz qe pinin alkol e nuk ktheheshim në shtëpi deri në 4 të mëngjesit. Po më dukej vetja në majë të botës. Bëra lloj lloj gjërash që nuk jam krenar sot po ti kujtoj por falenderoj Zotin që me gjakun e Jezusit mi lau të gjitha budallallëqet që kam bërë. S’ka gjë më të çmuar në jetë se kur e kupton të vërtetën dhe e di me siguri se e vërteta të jep LIRI. Kjo e vërtet është se kur unë isha mëkatar Jezusi dha jetën për mua, si qengj i Perendisë, që unë të bëhem i pastër e i drejt përpara Atit të shenjtë. Mbarova studimet dhe po merresha me një biznes të vogël. Në kompaninë ku shpenzoja një pjesë të madhe të kohës, dëgjova një kitarë elektrike dhe u bëra kurioz se çfarë po ndodhte. Një nga stafi më tha se ata kanë filluar një mbledhje të vogël kristiane gjatë orarit të drekës të premteve. Nuk ngela i kënaqur me përgjigjen sepse kompania është internacionale/ndërkombëtare dhe ata që marrin pjesë në biznes vijnë nga rraca dhe besime të ndryshme. Fola me drejtorin e menaxhimit, në fakt nuk fola por u ankova. I thashë se nuk është mirë që një kompani internacionale të organizoj mbledhje kristiane kaq hapur kur shumë njerëz që hyjnë e dalin këtu janë mysliman, budist e hindu. Ai më ra shpatullave dhe më tha që do ta shikoj çështjen, por në fakt ai nuk bëri gjë.
Një ftesë e zakonshme për një vendim të përjetshëm
Zoti e pa çështjen dhe Zoti vendosi që unë të hyja së shpejti në mbledhjen e tyre. Një pilot avioni (ai po i binte kitarës elektrike) më ftoi një të premte të bashkohesha me ta thjesht për të parë se çfarë bënin dhe si e adhuronin Zotin. Thashë me vete: “një Zot, çfarë do humbas po të shkoj brenda dhe të shikoj se çfarë bëhet!”.
Dikush e hapi mbledhjen me falje në gjuhen angleze dhe një tjetër filloi këngën me kitare dhe të tjerët bashkuan zërat drejt qiellit. “Uau”, po mendoja, këta u falen dhe po këndojnë në anglisht (anglishtja është gjuha e dytë në Malajzi). Pse nuk këndojnë në gjuhën hebre ose greqisht se Bibla është në këto dy gjuhë. Në islam ne duhet të falemi në arabisht se Kurani është në arabisht. Pasi kënduan për 10 minuta, (këngët më pëlqyen shumë), kishin ftuar një burrë për të dhënë një mesazh. U kënaqa se mesazhi ishte shume praktik dhe i vlefshëm për jetën. Unë kisha pak hundët e bllokuara, gati për grip dhe ata ofronin të faleshin për mua. U habita se unë ndejta për afro 6 vjet në një institucion fetar dhe asnjëherë nuk u fal njeri për mua dhe as unë nuk u fala për ndonjë person.
Pasi vajta në mbledhje, në mos gabohem, nja dy herë, ai piloti më ftoi për një dorë muhabet, siç themi ne. “Si ndjehesh” më pyeti. (Piloti u bë doktor, bëj shaka). “Ndjehem shume mirë dhe ndjej një paqe të pakuptueshme brenda meje. Unë nuk i di të gjitha gjërat e teologjisë mirë, por çfarë po bëni ju është gjë e mirë shumë…” . “Ma merr mendja se ke shume pyetje” më tha piloti. “Po” i thashë, “por pyetjet dhe përgjigjet nuk kanë shumë rëndësi tani se paqja e Zotit i tejkalon çdo lloj kuptimi”.
Ai më pyeti nëse doja ta pranoja Jezusin si Shpëtimtar dhe Zot të jetës sime. Nuk dija se si ti përgjigjesha. Një anë e imja thoshte “po pse jo”. Ana tjetër më sillte në mendje prindërit… - Si do reagojnë ata…? Shoqja që ka banuar me mua dhe do bëhet gruaja ime…? Po shoqëria që e dinë se çfarë besimi kam pasur… Nejse, po pranoj njëherë, po më ndryshoi mendja, e kthej prapë. “Duhet të vemi në kishë?” e pyeta. “S’ka problem” tha, “Zoti është kudo, këtu ku jemi ulur ti thuaj faljen pas meje se e pranon Jezusin si Shpëtimtar dhe Zot”. Pas disa ditësh shkuam në kishën e pilotit se do luanin një dramë “Tre pasqyrat”. Hera e pare që shkuam në një institucion fetar dhe u kënaqëm më shumë se ndonjë klub me pije apo koncert të famshëm. Shoqja ime dhe familja e saj ia dhanë jetën Jezusit gjithashtu. Zoti na bekoi që nga ajo ditë si familje dhe ne u martuam e tani kemi një vajzë të vogël Odelia, që do të thotë “Do lavdëroj Zotin”.
Ku e ke kishën? A ka rëndësi?
Hapi tjetër që duhet të merrja ishte për tu bashkuar në një kishë por jeta vazhdoi dhe për ne nuk ishte një çështje urgjente. Deri sa Zoti vendosi se ishte koha për ne. Unë po lexoja Biblën ditë për ditë. ‘E mira’ e asaj Bible ishte se kapaku nuk ishte i fortë kështu që përthyej kollaj dhe asnjeri nuk e kuptonte se çfarë libri po lexoja. Një ditë çova gruan, Olivian, në gjyq se ajo është avokate, (prandaj ja kam frikën- shaka). Atë ditë ajo duhet të ishte në një gjyq pak larg nga kryeqyteti në një qytet të vogël që quhet Seremban. Përpara gjyqit ishte dhe besoj se është akoma, një lulishte e vogël me stola e tavolina dhe unë u ula e po lexoja Biblën. Kur papritur, dy vajza të vogla indiane (në Malajzi ka malajzianë, kinezë e indianë) njëra mbase 10 vjeçe dhe tjetra 5 vjeçe, vrapuan drejt meje. Pasi më përshëndetën më pyetën:
“Xhaxhi a je ti kristian?”, pashë vërdallë çfarë po ndodhte por asgjë e dyshimtë.
“Po” i thashë. “Ku e ke kishën?”. Ia shpjegova se unë nuk jam nga Serembani, por ato nuk pritën shumë gjatë për përgjigjen time por filluan të më shpjegonin dhe tregonin se ku ishte kisha e tyre në mënyrë specifike sikur duhet të shkoja në atë kishe menjëherë. Sapo mbaruan shpjegimin u zhdukën me vrap. U habita. Si ka mundësi në lulishten e një gjyqi në orën 10 të mëngjesit dy vajza të vogla të vijnë dhe të më pyesin për besimin dhe të më tregonin ekzaktësisht se ku e kishin kishën.
U bëmë anëtarë në një kishë, u pagëzuam në ujë dhe unë fillova të shërbej në shërbesën e adhurimit. Nuk ka kënaqësi më të madhe se të këndosh për Zotin. Besimi i ri dhe i vërtetë, ka qen vendimi më i rëndësishëm dhe më i mirë në jetën time dhe të familjes time. Falenderoj Zotin që prindërit nuk patën ndonjë rezistencë të madhe sepse ata panë ndryshimet në jetën tonë, marrëdhënien midis meje dhe gruas. Zoti është gjithmonë me ne prandaj Jezusi dha jetën e tani është në parajsë dhe ne kemi Shpirtin e Shenjtë të Zotit që na jep gjithmonë paqe e lumturi pavarësisht se çfarë ndodh rreth nesh. Haleluja. PS: Unë them kudo që shkoj, se nusen e kam të dërguar nga Parajsa (Heaven sent) dhe kam prova. Si ka mundësi më pyesin njerëzit. Sepse babi i saj e ka emrin Heaven (Parajsë), me te vërtetë, nuk bëj shaka. Faiket Luari Malajzi
|