|
Që nga ai çast Jezusi filloi t`u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ``O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë``. Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ``Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s`ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve``.
Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ``Në qoftë se dikush do që të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç`përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij. Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet``. Mat. 16:21 -28
Le të shohim tre mësime që mund të marrim pranë kryqit. Së pari, përulësia është çelës për mësimin e vazhdueshëm. Pjetri mori notën maksimale kur tha se Jezusi ishte Krishti, por notën më të keqe kur tha se Jezusi nuk do të vdiste në kryq! Zoti e bekoi Pjetrin kur mori një zbulesë nga Perëndia, por e qortoi kur tha mendimet që vinin nga Satani. Në shkretëtirë, djalli e tundoi Jezusin për të shmangur kryqin (Mat. 4:1-10). Tani ai ndikoi mbi Pjetrin për të folur kundër kryqit. Krenaria e suksesit shpesh çon në dështim. Pjetri ra menjëherë pas suksesit që pati. Ka shumë ilustrime të këtij problemi. Marrja e së vërtetës nga Perëndia është një proces. Pjetri kishte nevojë për më shumë zbulesë. Ai e kuptoi se Jezusi ishte Mesia por mendonte se Mesia do t’i mposhtte romakët. Pjetri dhe hebrenjtë e tjerë nuk prisnin që Mesia të vuante. Nuk mjafton të marrësh një zbulesë e pastaj të ndalosh së mësuari. Çdo i krishterë është dishepull gjatë gjithë jetës së tij. Ai kurrë nuk diplomohet në tokë. Ndonjëherë, ashtu si Pjetri, ne jemi të drejtë në një çast dhe të gabuar në tjetrin. Të gjithë ne kemi nevojë të vazhdojmë të mësojmë nga Perëndia. Dija e pakët ngrefoset, por përulësia është çelës për një edukim të vazhdueshëm. Së dyti, Perëndia e përdor vuajtjen tonë për qëllimin e Tij. Shumë prej nesh kemi probleme me këtë mësim. Ashtu si Pjetri, ne nuk kemi në mendje gjërat e Perëndisë, por gjërat e njerëzve (Mat. 16:23). Mendimi i njerëzve në mish thotë se ne nuk kemi nevojë të vuajmë. Por Fjala e Perëndisë thotë se sprovat dhe vuajtja e përsosin besimin tonë (Fil. 1:29; Jakobi 1:2-4; 1 e Pjet. 2:20-25). Së treti, Jezusi thotë se ne duhet të mohojmë veten dhe të mbajmë një kryq për të ndjekur Atë. Mohimi i vetes nuk është mendimi i njerëzve në mish. Ai është mendimi frymëror i Perëndisë. Por vini re se mohimi i vetes lidhet me mbajtjen e një kryqi. Jezusi vdiq në kryq për të tjerët. Me fjalë të tjera, ai zgjodhi midis vetes dhe të tjerëve. Kjo është zgjedhja që ai i ofron secilit prej dishepujve të tij. E gjithë jeta jonë është një zgjedhje midis vetes dhe të tjerëve. Bibla na mëson t’i duam të tjerët ashtu siç e duam veten tonë. Në këtë mënyrë ne nuk i shpenzojmë të gjitha paratë tona për veten tonë. Ne e mohojmë veten dhe u japim diçka të tjerëve. Ne nuk e kalojmë të gjithë kohën vetëm me veten tonë. Ne ia mohojmë vetes njëfarë kohe dhe ua japim të tjerëve. Në këtë mënyrë kisha ka shumë mësues dhe punëtorë. Në mënyrë të ngjashme, ne ia mohojmë vetes sonë të gjitha kënaqësitë mëkatare dhe jetojmë me ligjet e Perëndisë. Kështu ne mund të jemi një bekim për të tjerët. Siç tha Jezusi, ne e shenjtërojmë veten tonë për hir të të tjerëve (Gjoni 17:19). Të ndjekësh Jezusin do të thotë të bësh më pak për veten dhe më shumë për të tjerët. Kjo mënyrë kuptimi mund të jetë në fillim po aq e vogël sa fara e sinapit. Mbretëria e Perëndisë fillon e vogël, ashtu si majaja brenda nesh. Por sa më shumë që piqemi, aq më shumë gëzojmë duke e mohuar veten për t’u shërbyer të tjerëve. Kjo është mendja e Krishtit dhe kuptimi i të qenurit dishepull i tij. Mohimi i vetes sonë çon në përmbushje. Personi që jeton për vete jeton një jetë boshe. Kujtoni Solomonin. Ai kishte çdo gjë që mishi i tij dëshironte. Asnjeri në tokë nuk ishte më bosh se sa ai (Pre. 1:2). Cili është përfitimi kur fiton botën, por humb shpirtin? Por njerëzit më të lumtur në botë janë ata që mbajnë kryqin. Domethënë, ata që marrin përsipër disa përgjegjësi për të ndihmuar të tjerët. Këta njerëz gjejnë një arsye për të jetuar. Por shpërblimet më të mëdha do të vijnë kur Jezusi të kthehet.
|