|
(Mat. 14:1-12; Marku 6:14-29) Në disa vende të botës njerëzit organizojnë festa me rastin e ditëlindjeve. Ky zakon thekson faktin se jeta e njeriut është e shenjtë. Ajo gjithashtu thekson se çdo person është i veçantë. Siç mund të lexojmë tek tregimet që na japin Mateu dhe Marku (Mat. 14:1-12; Marku 6:14-29), Mbreti Herod po festonte ditëlindjen e tij. Ai ftoi shumë miq që të vinin në festën e madhe që kishte përgatitur. Dhoma ku zhvillohej festa ishte e mbushur me të qeshura, pije dhe shumë ushqim për të ngrënë.
Salomeja vallëzoi në këtë festë. Ajo ishte e bija e gruas së Herodit, Herodiadës. Ajo i pëlqeu mbretit të dehur. Për këtë arsye ai premtoi t’i jepte asaj çdo gjë që të kërkonte. Çfarë rasti! Në qoftë se ju do ta dinit se një mbret do t’ju plotësonte një kërkesë, çfarë do të kërkonit? Ne do të shohim shpërblimin e Salomes. Gjithashtu, do të studiojmë tri të vërteta për nënat. 1. Një nënë mund të sjellë bekim ose mallkim mbi fëmijët e saj. Nënat kanë shumë *ndikim mbi fëmijët e tyre. Ashtu si të gjithë fëmijët, Salomeja kishte afrimitet me mamanë e saj. Kur nëna e saj fliste, Salomeja dëgjonte. Por nëna e Salomes, Herodiada, nuk ishte një nënë e mirë. Ajo ishte e ligë në shpirt. Herodiada u martua me Filipin, vëllain e mbretit Herod. Më pas, ajo e la Filipin për të jetuar me vëllain e tij, Herodin. Mbreti Herod ishte më i pasur dhe më i fuqishëm se sa Filipi. Por Gjon Pagëzori i qortoi mbretin dhe mbretëreshën që jetonin në mëkat. Gjoni nuk ishte një kallam që lëkundej nga era. Ai qëndroi fort për të vërtetën, pavarësisht nga kostoja. Herodiada e urrente Gjonin. Ajo e mëkoi bijën e saj Salome që foshnje. Pak nga pak, fëmija u rrit. Kjo nënë e keqe mëkoi gjithashtu një *mëri kundër Gjonit (Marku 6:19). Domethënë, ajo ushqeu ndjenja zemërimi dhe inati për profetin e Perëndisë. Këto ndjenja mëkatare rriteshin ndërsa Herodiada i mëkonte ato. Më në fund, urrejtja e saj ishte aq e madhe saqë mund ta çonte atë deri në vrasje. Ajo e këshilloi bijën e saj të kërkonte kokën e Gjonit në një tabaka. Disa persona festuan me Herodin në ditëlindjen e tij. Të tjerë vajtuan për Gjonin në ditën e vdekjes së tij. Urrejtja e Herodiadës shkaktoi vdekjen e Gjonit. Por çfarë i bëri kjo urrejtje bijës së saj? Imagjinoni Salomenë duke mbajtur tabakanë me kokën e Gjonit në të. Ajo shikoi në sytë e Gjonit dhe sytë panë atë. Kjo ishte një ditëlindje që Salomeja nuk mund ta harronte kurrë. Ajo nuk do të ishte kurrë në gjendje ta harronte pamjen e kokës së Gjonit në atë tabaka. Nëna e Salomes e përdori ndikimin e saj për të sjellë një mallkim mbi fëmijën e saj në vend që të sillte një bekim. Nënat i japin trajtë fatit të fëmijëve të tyre. Përfytyroni një grua që ngjesh gishtat e saj në një argjilë të butë. Ajo po i jep argjilës formën e një kupe. Më pas, argjila bëhet e fortë, por ajo akoma mund t’i shohë gjurmët e gishtërinjve të saj në të. Në të njëjtën mënyrë fëmija është si argjila e butë. Nëna i jep trajtë fëmijës në vitet e hershme. Më vonë, pasi vitet e njoma kalojnë, është e vështirë që fëmija të ndryshojë. Salomeja do të kishte qenë ndryshe në qoftë se nëna e saj do të sillej ndryshe. 2. Një nënë e perëndishme është trashëgimi për fëmijët e saj. Ai që ka një nënë të perëndishme është një njeri i pasur. Salomeja ishte një vajzë e varfër e cila jetonte në një pallat. Kurse një nënë e perëndishme i jep një pasuri të madhe frymërore fëmijëve të saj. Ajo u jep atyre diçka të cilën nuk mund ta blejë asnjë shumë parash. Një nënë e perëndishme u jep fëmijëve të saj thesaret e dashurisë, të vërtetës, mëshirës dhe mirësisë. Ajo i pasuron fëmijët e saj me Fjalën e Perëndisë. Kujtimet e këtyre fëmijëve janë të mbushura me lutjet e nënave dhe me vepra të mira. Predikues të mëdhenj dhe drejtues të famshëm dëshmojnë për influencën e dobishme të nënave të tyre. Loideja ishte një nënë e perëndishme. Ajo ia kaloi besimin e saj të bijës, Eunikes. Edhe Eunikeja ishte një nënë e perëndishme. Ajo e frymëzoi të birin, Timoteun, që të ndiqte Jezusin (2 Tim. 1:5). Emrin e nënës së Martin Luterit e dinë pak vetë. Por shpesh ajo nuk hante në mënyrë që i biri të shkonte në shkollë. Një nënë e perëndishme është një trashëgimi e madhe. 3. Shembulli i nënës e mëson fëmijën se si është Perëndia. Në çfarë moshe fillon fëmija ta kuptojë Perëndinë të cilin ai nuk mund ta shohë? Në vitet më të hershme mendimet e fëmijës nuk shkojnë përtej nënës së tij. Për një fëmijë të vogël, nëna ka sytë që dashurojnë dhe krahët që mbrojnë. Ajo ka duart që ju ushqejnë dhe zemrën që beson në ju. Ne i lutemi Atit tonë në qiell. Por Perëndia në mendimet tona ngjan shumë me nënën! I bekuar është ai person që ka një nënë si Eunikeja dhe jo si Herodiada. |