.: albKristian.com
Kryefaqja arrow Info-Kulture arrow Shkrime me interes arrow Ilirėt – Populli mė i vjetėr nė Ballkan, Prof. Ibrahim Kelmendi
Kryefaqja
Aktualitet
Materiale
Apologjia
Bibla Shqip
Pyetje-Pergjigje
Faqe te Krishtera
Fjalori
Kerko
Me Te Fundit...
Info-Kulture
Faqja e Vjeter
Te pranishem...
Ne kemi 35 vizitore nė linjė
No Members Online.
Logohuni
Ilirėt – Populli mė i vjetėr nė Ballkan, Prof. Ibrahim Kelmendi Printo E-mail
Dëshmia e bërë publike në vitin 1950
Ka qenë viti 1950 kur prof Ibrahim Kelmendi ka shpalosur idetë  e tij ,ndërkohë ka hedhur teza të guximshme për prejardhjen e shqiptarëve. Duke shfletuar gazetën Flamuri që botohej ne Romë gjejmë një seri shkrimesh të prof Kelmendit që kanë gjuhën,mendjen dhe vlerësimin e tij për gjenezën  e kombit më të hershëm në Europë. Nuk janë thjesht citime, por një analizë sintezë me fakte e dokumente që sillen të reja. Në këtë gjurmë 50 vite me vonesë shumë studiues shqiptarë po sjellin atë çka prof. I. Kelmendi dhe të tjerë i kanë bërë të njohura, por që nuk janë njohur brenda kufijve të Shqipërisë për të vetmin shkak thelbësor: regjimin.

Populli më i vjetër i Ballkanit pa dyshim është populli shqiptar, i cili në kohërat e vjetra prej Adriatikut deri në Danub, duke përfshirë edhe Hungarinë Perëndimore shprehet prof. Kelmendi..Të parët  e tij quheshin ilirë. Këta qenë ndër arianët më të parë që patën ardhur në Europë. Vendi i tyre quhej Iliri. Për Ilirët prof. Kelmendi ka bërë të njohur teza të autorëve të antikitetit. Për ardhjen  e tyre nuk ekziston ndonjë datë e saktë,çohet deri në shekullin  XX përpara Krishti. Prof. Kelmendi merr dhe citon Herodotin. Që i quan barbarë dhe thotë se u ngjanin thrakasve. Të këtij mendimi kanë qenë edhe shkrimtarë të moçëm grekë.

Pamja fizike: Prof. Kelmendi rreshton këto tipare: Ilirët kishin trup të gjatë,muskulaturë të vogël,inteligjencë të qartë,energjikë dhe luftëtarë shumë të mirë. Flokët dhe sytë e zinj.

Paganizmi: Besonin në shumë perëndi: Medaurus, Binaus, Latra, Seutona etj

Pozita shoqërore dhe politike e gruas: Prof. Kelmendi jep një të dhënë të rëndësishme që pak njihet dhe është bërë objekt .Gruaja në shoqërinë e ilirëve gëzonte konsideratë të mirë. Ushtronte edhe pushtet politik dhe në mes të sundimtarëve  të Ilirisë gjejmë edhe mbretëresha. Sikurse tek indoevropianët e tjerë, edhe këta në altarin e perëndisë bënin sakrifica. Jetonin më së shumti prej gjuetisë.

Raca: Të të njëjtit gjaku e gjuhe ishin edhe epirotët. Straboni thotë se Ilirët, Epirotët dhe Maqedonasit flisnin një gjuhë. Shumë shkrimtarë modernë thonë se kultura greke ndër maqedonasit ka qenë e sipërfaqshme. Pra shprehet Kelmendi, nënshtetasit dhe luftëtarët  e Filipit dhe të Aleksandrit që mbërritën në Indi dhe ndër piramidat, flitshin gjuhën mëmë të shqipes së sotme.

Fiset ilire: Ilirët kanë qenë të ndarë në fise: Ardianët, Labeatët, Liburnët, Autoariatët, Dalmatët, Dardhanët, Venetët si dhe Mesapët dhe Japugët që banonin në pjesën e jugut të gadishullit italian. Përveç këtyre kishte edhe fise të tjera. Ky fenomen shpjegohet vetëm me përbërjen dhe natyrën e vendit ku banonin.

Dëshmi e ilirëve në tempullin e Delfit: Prof. Kelmendi sjell një të dhënë të Herodotit. Herodoti thotë se ata patën mësuar edhe tempullin e Delfit. Prezencën e shqiptarëve në rrëzë të Akropolit të Athinës (Plaka që është lagjja më e vjetër e këtij qyteti) e çojnë në kohëra shumë të vjetra dhe e mbështet një varg i Thuqididit ku bëhet fjalë për një popullatë barbare në rranjët e Akropolit ku  ende sot dëgjohet një shqipe e gjymtuar.

Bërthama e shtetit ilir: Bërthama më serioze e një shteti Ilirian qe fisi i Ardianëve. Me Autariatët, Labeatët, Liburnët e fise të tjera, krijuan një shtet, i cili në shekullin e IV pr. Kr, u bë një shtet i lavdishëm. Kryeqyteti i këtij shteti u bë Shkodra. Për t’u mbrojtur nga keltët, qysh në fillim të shekullit të IV pr. Kr., rreth bërthamës së përmendur  u mbështollën të gjithë fiset që prej Triestes e deri në Artë dhe kështu u krijua mbretëria më e madhe e Ilirëve nën Mbretin Bardhyl. Mos ta harrojmë se ka historianë që jetën shtetërore të Ilirëve  e çojnë qysh në shekullin XII, pr. Kr. Më 385 Bardhyli mundi mbretin Amintas të Maqedonisë, ia pushtoi pjesët perëndimore të shtetit dhe e detyroi të paguante haraç. Filipi i II e mundi Bardhylin dhe i pushtoi të gjitha krahinat deri në Ohër duke i aneksuar në shtetin e vet. Mbas vdekjes së Bardhylit, shumë fise u tërhoqën në jetën lokale dhe kështu filloi rënia fatale e Ilirëve.

Dardanët: Koncepti që ka dhënë për këtë fis, prof. I. Kelmendi. "Ndër fiset e Ilirëve, më i madhi ishte fisi i Dardhanëve. Vendi i tyre ishte Kosova e sotme deri në Nish dhe në Jug, në Vardarin e Sipërm deri në afërsi të Manastirit. Kryeqyteti i Dardanisë ishte Shkupi i cili quhej atëherë Skupi (Scupi). Vihej në dukje bukuria e grave të tyre. Edhe sot ka mbetur shprehja në Kosovë e në vende të tjera, kur duan të ekzaltojnë bukurinë e ndonjë femre thonë: "Qenka si Dardhane".

Jo rrallë dëgjohet ky krahasim në raste të tilla në Greqi, ku sigurisht ka mbetur qysh prej kohërave  të lashta.

Luftëtarë: Dardhanet përmenden si luftëtarë  të mirë dhe  rezistenca  e tyre kundër maqedonasve e romakëve është mjaft e dëgjuar.

Detarë të zotë: Ilirët kanë qenë të zotët edhe si detarë. Tregtia e grekëve në Adriatik pësonte dëme të mëdha nga kusarët e tyre. Për të siguruar tregtinë, grekët e ftuan Romën për ta qetësuar Adriatikun nga ilirët.

Luftërat me Romën: Në vitin 228 pr. Kr. u pa zbarkimi i parë i romakëve në Iliri,që sundohej asi kohe në pjesë të madhe prej mbretëreshës Teuta. Lufta nuk përfundoi me një a dy beteja, por zgjati më shumë se dy shekuj. Më 168 pr. Kr. konsulli romak Lucius Anicus kaloi si rrufe nëpër Iliri dhe pushtoi Shkodrën dhe në kalanë e saj zuni rob mbretin Gencius të cilin bashkë me të shoqen Etlevën dhe dy të bijtë e dërgoi në Romë, për të stolisur kthimin e tij triumfal. Mbas këtij suksesi Iliria u shpall provincë e Romës. Por në realitet lufta nuk pushoi aspak. Ilirët bënin vazhdimisht  kryengritje. Sa pushonte  a shtypej në njërën  fshikullonte  në tjetrën. Më e njohura është kryengritja e kryesuar prej Batos e cila u përhap në krejt Ilirinë. Kjo lëvizje e frikshme përmendet me emrin: "Bellum Batonianum” (6-8 pas. Kr.). Luftërat me ilirët, Romës i kanë kushtuar shumë shtrenjtë si në njerëz ashtu edhe në materiale. Asnjë popull nuk i ka qëndruar fuqive të saja aq sa i kanë rezistuar Ilirët. Më vonë kur në Iliri u  stabilizua qetësia, ilirët i sollën Romës edhe shërbime të konsiderueshme. Legjionet më të mira ajo i rekrutonte në Iliri dhe gjeneralët ilirë luftuan në Britani, Rin dhe në Eufrat.

Nga ilirët dolën edhe perandorë si: Klaudi, Aureliani, Probusi, Diokleciani, Maksimiani, Konstandini i Madh.

Zbulimet arkeologjike dëshmojnë: Për të pasur mundësi që të formojmë një ide të qartë mbi qytetërimin e ilirëve nuk janë të bollshme dokumentet e shkruara. Por zbulimet arkeologjike në Bosnjë, Dalmaci e Kroaci na japin prova bindëse për qenien e një qytetërimi të lartë ndër ilirët. Për të kursyer fjalët po përmendim një pjesëz nga Enciklopedia Britanika: "Në Bosnjë, banesat e liqenit në Butmir, varrezat e Jezerinës e të Glosinac si dhe vende të tjera kanë ruajtur orendi prej guri dhe prej briri, zbukurime  prej bronzi e prej hekuri, armë etj. si dhe sende më të vonshme prej argjendi, teneqeje, qelibari e madje edhe prej qelqi. Të gjitha këto na tregojnë periudhat e ndryshme të qytetërimit primitiv të Ilirëve qysh prej kohëve neolitike e këndej. Sidomos kulturat Hallstatt dhe La Tene paraqiten veçanërisht më së miri. Po të tilla zbulime  janë bërë edhe në Dalmaci e në Kroaci, Slloveni etj...

Krishtërimi tek ilirët: Prof. I. Kelmendi përmend faktin se ilirët ishin ndër të parët popuj në Evropë që erdhën në kontakt me Krishtërimin. Në vitin 53 Shën Pali predikoi Ungjillin ndër ilirët, ndërsa 4 vjet më vonë këtu erdhi nxënësi i tij Titusi (Titi). Në shekullin e V-VI, Durrësi dhe Nikopoli u bënë qendrat më të forta të krishtërimit në Iliri. Mbas tyre vinte Shkodra, Tivari. Në kohën e Justinianit, Shkupi u bë kryeqyteti moral dhe administrativ i krejt Ilirisë.

Studimi i prof. Ibrahim Kelmendit përvijohet me principatat dhe për ardhjet sllave në Ballkan me periudhat e mëvonshme që zënë vend në historinë e këtij kombi të hershëm sa vetë kontinenti ynë.

Shënim: Ky material u përgatit nga: z. Gëzim Llojdia

Modifikimi i fundit ( e mėrkurė , 20 shkurt 2008 )
Menuja Shtese
Konkursi i Poezisė
Abonohu - BULETINI
Perkushtim-Spurgeon
Forumi
Galeria
Na Kontaktoni
Lutuni per...
E-mail
Admin

albKristian.com - Portali Krishtere Shqiptar. Copyright (c) 2002 - 2008