|
“Dhe ajo do të lindë një djalë dhe do t’i vësh emrin Jezus, sepse Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mat. 1:21). Pothuaj dymijë vjet më parë hebrenjtë e dinin se emri Jezus në hebraisht do të thoshte “Shpëtimtar”. Ata e kuptonin emrin e tij, por e keqkuptuan misionin e tij. Ata e dinin se nuk mund ta shpëtonin dot vetveten. Ata prisnin Mesian që t’i shpëtonte nga romakët që i kishin skllavëruar. Ata dëshironin me zjarr të shpëtonin nga armiqtë e tyre politikë. Kur Jezusi hyri në Jeruzalem mbi një gomar, ata thërrisnin: “Hosanna” që do të thotë: “Shpëto tani!” Ishte mirë që ata dëshironin një Shpëtimtar për t’i çliruar menjëherë, jo më vonë. Por ishte fatkeqësi që nuk e kuptuan se mëkati ishte një zotëri më i keq se Çezari. Jezusi nuk erdhi për t’i çliruar nga Çezari. Përkundrazi, ai erdhi t’i shpëtojë nga skllavëria e mëkatit të tyre.
Sot, disa njerëz vazhdojnë ta keqkuptojnë kuptimin e emrit dhe të misionit të Jezusit. Shumë të krishterë po e kërkojnë shpëtimin në të ardhmen. Ata mendojnë se Jezusi do të na shpëtojë nga mëkatet tona në rrugë e sipër, pasi të shkojmë në qiell. Emri i tij është Jezus sepse Ai erdhi të na shpëtojë nga vetë mëkati! Misioni i tij nuk ishte vetëm të na shpëtojë nga dënimi i mëkatit, por edhe nga fuqia e mëkatit! - Ai erdhi t’i shpëtonte njerëzit e tij nga mëkatet e tyre, jo në to.
- Në qoftë se ju shpëtoni një njeri që po mbytet nga uji, ju nuk e lini atë në ujë.
- Në qoftë se ju e shpëtoni një njeri nga zjarri, ju nuk e lini atë në zjarr.
- Në qoftë se ju e shpëtoni një njeri nga burgu, ju nuk e lini atë në qeli.
- Në qoftë se ju e shpëtoni një njeri nga kanceri, ai nuk vazhdon të qëndrojë në sëmundje.
- Në qoftë se Jezusi e shpëton një njeri nga mëkati, ai nuk e le atë në mëkat.
Merrni guxim t’i afroheni Jezusit në kuptimin e plotë të emrit të tij. A do t’ia përkushtoni veten çdo ditë për të qenë një prej njerëzve të tij? Në rast se përgjigjja juaj është “Po”, Ai do të thyejë çdo zinxhir të mëkatit që ju skllavëron. Edhe nëse shtatë demonë ju lidhin si Maria Magdalenën, Ai do t’ju çlirojë. Nëpërmjet Moisiut, Perëndia e çliroi popullin e tij nga skllavëria e Egjiptit. Nëpërmjet Jezusit, Perëndia çliron popullin e tij nga skllavëria e mëkatit. Ky është kujdesi më i madh që tregon Perëndia për popullin e tij në këtë jetë. Jezusi mund të bëjë më shumë se të falë mëkatin. Ai mund të na shpëtojë prej tij. Ai mund të na çlirojë nga fuqia e mëkatit.
|