 Tirane, 29 Tetor 2007 - Kanë kaluar 180 vjet nga përkthimi i parë në shqip i "Dhjatës së Re" dhe gati një shekull e gjysmë që kur Kostandin Kristoforidhi e përktheu për llogari të Shoqatës Biblike. Sot ajo vjen me një përkthim të ri. Një botim i veçantë që për herë të parë realizohet si një bashkëpunim mes të gjitha kategorive të krishtera.
Teksti origjinal është përkthyer nga greqishtja nga Joan Lena, Marjan Paloka dhe Zefjan Nikolla dhe është promovuar në një ceremoni të madhe në prani të bashkëpunëtorëve dhe besimtarëve të krishterë. Deri më sot, në treg gjenden disa përkthime të Dhjatës së Re dhe mbi këtë përvojë është ndërtuar edhe ky botim i ri. Përveçse formateve të ndryshme pjesë e kësaj nisme është edhe incizimi i Dhjatës së Re në leximin e Saimir Brahos. Janë 28 orë incizim të futura në 24 cd, shoqëruar me muzikë të Endri Sinës. Sipas Brahos kjo është një mënyrë për ta sjellë më afër njerëzve edhe në çastet kur nuk kanë mundësi të ulen e të lexojnë apo edhe për të verbërit e kategori të tjera. Ndërkohë që përfaqësuesit e Shoqërisë Biblike në Shqipëri e kanë quajtur një moment të veçantë, prof.dr. Xhevat Lloshi i bën një analizë këtij botimi edhe në pikëpmaje gjuhësore. "Suksesi i kësaj ndërrmarje në Shqipëri është përgatitur gjatë historisë. Përkthimi i parë në shqip është bërë në 1827-ën nga Vangjel Meksi, një shqiptar i shquar ortodoks. Ai ishte i angazhuar nga Shoqëria Biblike. Ndërsa një tjetër shqiptar, Gregor Gjirokastriti, i cili ishte peshkop i kishës ortodoske në ishullin Eube të Greqisë, bëri redaktimin e përkthimit të Dhjatës së Re në shqip, të cilën e ka bërë shoqëria protestane. Në atë rast mungonte dhe një bashkëpunëtor katolik që të ishte bërë po kjo që është sot. Kjo ngjarje tregon se ne kemi pasur një vend me një tolerancë fetare të përhershme. Ky botim është i ri në dy pikëpamje: përkthimet e deritanishme kanë qenë të veçuara në katolikë dhe protestant. Gjithashtu kemi një produkt gjuhësor që pasqyron evoluimin dhe është më i kuptueshëm për të gjithë shqiptarët"- shprehet Lloshi. Marre nga: Gazeta Shqiptare
Shenim: Nese deshironi te merrni njoftime te here-pas-hereshme nga albKristian.com, atehere mund te abonoheni te Buletini i albKristian.com |