.: albKristian.com
Kryefaqja arrow Materiale arrow Materiale Historike arrow Krileva - Dhjetė Gjurmė Lashtėsie!
Kryefaqja
Aktualitet
Materiale
Apologjia
Bibla Shqip
Pyetje-Pergjigje
Faqe te Krishtera
Fjalori
Kerko
Me Te Fundit...
Info-Kulture
Faqja e Vjeter
Te pranishem...
Ne kemi 23 vizitore nė linjė dhe 1 anetare nė linjė
Eruion
Logohuni
Krileva - Dhjetė Gjurmė Lashtėsie! Printo E-mail
Krishterimi nën evidencat e pashlyeshme në malësitë e Kosovës

Katundi Krilevë gjeografikisht hyn nën territorin e komunës së Kamenicës, Kosovë, dhe shtrihet në pjesën veriperëndimore të kësaj qyteze, ndërsa pjesa e saj më e madhe kufizohet me katundet Marec, Gllogovicë dhe Prapashticë të komunës së Prishtinës, si dhe fshatrat Leshtar, Strezofc, Vaganesh dhe Rahovicë të komunës së Kamenicës. E veçantja e këtij katundi ndër gjithë krahinën e Gallapit është se prej këtej rrjedh lumi që quhet Krivarekë. Rrjedhat e këtij lumi në fakt janë edhe nga anë të tjera të Gallapit. Teoria ime është se aty ku ka një lum aty ka ose edhe ka pasur më herët jetë, dhe aty ku ka një lum ka ose ka pasur edhe civilizim. Gallapi nuk ka lumenj të njohur në Kosovë përveç lumit të Krilevës.

Gjurma e parë: Nuk dihet saktësisht se sa është i vjetër ky vendbanim, mirëpo në bazë të disa evidencave faktike sigurisht se ky vendbanim është i kohës ilire. Në vendin e quajtur Rapuha, në pjesën veriperëndimore të fshatit, edhe sot mund të shihen varreza ilire ose edhe romake. Sipër këtyre varreve shumë të vjetra gjenden disa pllaka të mëdha guri por fatkeqësisht nuk ka ndonjë shkrim mbi to. Mënyra e varrimit dëshmon se këto varre mund të kenë qenë ilire, romake por edhe hebreje. Në Novobërdë ka pasur një koloni hebreje derisa pushtohet nga turqit. Nën këto pllaka guri gjenden eshtrat dhe deri sot nuk është gjurmuar më shumë për kohën e këtyre varreve. Në bazë të gojëdhënave të fshatarëve këtu thuhet se dikur moti ka qenë edhe një piacë (treg).

 

Gjurma e dytë: Në vendin që quhet Gjyteti afër tij është vendi që quhet Maja e Kulinës, kjo është edhe pika më e lartë e Krilevës. Aty gjenden ende gërmadhat e një fortifikate që ka qenë e ndërtuar këtu në mes të bjeshkëve. Gjyteti sigurisht se ka qenë një vendbanim i vogël, pra një qytet i vogël. Nga kjo pikë mund të shihej kalaja e Novobërdës për sinjalizime me zjarre në rast kumtesh. Praktikisht funksioni i kësaj kalaje ka qenë kullë vëzhgimi për qytetin kala të Novobërdës, pasi ky qytet përbënte referencën kryesore të jetës, fuqisë, kulturës dhe civilizimit në gjithë krahinën e Gallapit. Fjala “kulinë” vjen nga latinishtja culine dhe do thotë kala. Kulina dhe Rapuha janë shumë afër njëra tjetrës. Rapuha është në buzë të të njëjtës bjeshkë ndërsa në maje të saj është Kulina. Mendohet se një pikë tjetër vëzhgimi për qytetin e Novobërdës gjatë kohës bizantine, e ndoshta edhe serbe ka qenë Kapia në Tugjec.


Gjurma e tretë: Në vitin 1975 nga një krilevas është gjetur një unazë ari tek lokacioni i quajtur Bregu i Lamës. Unaza e arit ka një shqiponjë dykrenore. Vendi ku është gjetur unaza është një arë që sot nuk punohet më, mirëpo që dikur moti, sigurisht para islamizimit të fshatit kjo arë ka qenë një vendvarrim për banorët e krishterë të kësaj ane. Terreni vërteton bindshëm se të krishterët, sidomos ata të ritit lindorë, pra ortodoksët i preferonin këso bregoresh për varreza. Prej këtyre varrezave e deri tek kisha e fshatit janë diku deri në 500 metra. Bregu i Lamës është në kuadër të mëhallës që edhe sot quhet Qylkovët, e nganjëherë edhe Qylkoviqtë, ose edhe Qylkajt.


Gjurma e katërt: Pikërisht në vendin para se të bashkohen dy rrjedhat e lumit të Krilevës, njëra nga krahu verior e tjetra nga krahu perëndimor, është një rrafshinë, tokë pjellore në përmasa përafërsisht 8 hektarë, deri në vitin 1992 kanë ekzistuar themelet e një kishe. Duket që gjithë kjo pasuri ka qenë nën patronatin e kishës së Krilevës, pasi edhe sot e kësaj dite është mikrotoponimi Ara e Kishës. Themelet e kishës i kam parë edhe vetë, dhe mund të konstatoj se kjo kishë është e krishterimit të ritit lindor dhe jo atij katolik. Në prezantimin zyrtar të Kishës Ortodokse të Serbisë thuhet se kjo është një kishë e vjetër, dhe po ashtu as ata nuk japin ndonjë shënim se kush dhe në cilën kohë është ndërtuar kjo kishë. Sipas një gjykimi tim në bazë të asaj se çfarë kam parë, e sidomos gurët e lëmuar për themele dhe pjesë tjera të mureve, këtë kishë e kanë ndërtuar bizantinët sigurisht në kohën e perandorit Justinian, ose edhe pak më vonë. Ndërtimi i kishës, piaca dhe varrezat në Rapuhë, vëzhgimorja në Kulinë hipotetikisht mund të jenë projektet e perandorisë së Justinianit, pasi ai duke qenë edhe vetë ilir kishte ndërmarrë një projekt të madh për ndërtimin ose fortifikimin e mbi 600 kalave në trojet ilire. Për të arritur në Rapuhë ose në Kulinë paraprakisht në bazë të rrjedhës së lumit duhet kaluar së pari pranë kishës së Krilevës. Rapuha është larg kishës deri në 3 km. Serbët zakonisht nuk e kanë përdorur gurin e aq ma pak që ta përpunonin atë për themele kishash. Sllavët në përgjithësi nuk janë fare të njohur për ndërtime të hershme mesjetare. Është dëm i madh që janë fshirë të gjitha gjurmët e kishës së Krilevës nga pronari i sotëm i asaj are ku ka qenë dikur kisha e Krishtit. Ekzistenca e kishës në Krilevë shfaq se populli autokton ishte i krishterë dhe vazhdoi të mbetet derisa u islamizua një pjesë, dhe derisa edhe erdhën grupe të tjera njerëzish kryesisht myslimanë që të jetojnë në këtë fshat. Kisha është rrënuar diku para vitit 1878 dhe me materialet e kësaj kishe është ndërtuar xhamia e fshatit me gjithë minaren e saj. Sipas dëshmisë së pleqve të fshatit nuk janë përdorur vetëm gurët por edhe kulmi, pra pjesa e druve. Nga këto të dhëna mund të thuhet se diku deri në 10 vjet para Lidhjes së Prizrenit këtu kishte ende shqiptarë të krishterësh ortodoksë.


Gjurma e pestë: Tani diçka më shumë për mëhallën që edhe sot quhet Qylkovët. Këta ishin shqiptarët e fundit të krishterë ortodoksë që i kanë rezistuar islamizimit dhe duke u gjendur nën okupimin osman dhe duke u gjendur nën presionin e madh tani të shumicës së banorëve myslimanë këta të krishterë vendosin që të migrojnë në Boston të Novobërdës dhe sot ata njerëz janë serbizuar gradualisht dhe deri tani askush ndër ta nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të vërtetuar se mos vallë nga pleqtë ruhet ndonjë dëshmi e etnisë së tyre të mëparshme. Duket se qylkajt kanë mërguar dhunshëm prej Krileve diku në gjysmën e shek. XIX dhe ndoshta ata pastaj kanë vazhduar për disa kohë të vijnë në kishën e fshatit sidomos për festa të mëdha krishtere siç është Krishtlindja dhe Pashka. Arsyeja e dytë që ata kanë ardhur sërish vetëm për vizita në fshat ka qenë edhe mbajtja e shërbesave për të vdekurit e tyre që ishin në Bregun e Lames. Në këtë mëhallë deri para 30 vitesh ka ekzistuar një trup i madh i një arre e cila ishte mbjellë nga qylkovitët, dhe sipas dëshmive gojore dikush nga Bostoni, para 25 vjetëve, ka pyetur pikërisht për këtë arrë. Trualli i banorëve shqiptarë lokalë të Krilevës është mëhalla e qylkajve, dhe pjesa nën Gurin e Madh të Mëhallës së Epërme, pasi atje sipas të dhënave është vendosur Gjoni i ardhur nga fushat e Leskocit (jugu i Serbisë).


Gjurma e gjashtë: Vizitat duket se kanë qenë të vazhdueshme nga popullata e Krilevës për në Novobërdë, pasi edhe sot shumë krilevasë shkojnë së paku një herë në vit në Novobërdë për festën e Shën Gjergjit e cila festohet më datën 6 maj, sipas kalendarit julian. Katolikët e festojnë këtë festë më 23 prill, sipas kalendarit gregorin. Pse kanë shkuar për Shën Gjergj jo vetëm krilevasit por edhe shumë banorë të fshatrave të Gallapit në Novobërdë? Kjo është një ceremoni e nënvetëdijshme se dikur ky popull ishte i krishterë dhe lidhjet e gjakut funksionin ende, dhe pasi që Novobërda ishte qyteti i tyre. Gallapi si territor sot s’ka një qytet ose një komunë që loz ndonjë rol, por dikur e kishte Novobërdën si qendër të njohur kudo në Europë. Sipas historianit anglez N. Mallkom jeta në Novobërdë në shek. XV ka qenë më e mirë sesa në Londër.


Gjurma e shtatë: Deri në fillim të viteve ’90-ta jo vetëm banorët e fshatit Krilevë, por sigurisht se gati të gjitha fshatrat e krahinës së Gallapit me një formë ose tjetër e kanë festuar Krishtlindjen, e që populli e quan Bozhiq. Fjala bozhiq vjen nga sllavishtja e vjetër dhe do të thotë Krishtlindje, përkatësisht me përkthim të fjalëpërfjalshëm do të thotë zoti i vogël, pra duke iu referuar Krishtit si Biri i Perëndisë. Gjatë kësaj feste, më 6 janar, e që është manifestuar deri vonë zakonisht është zier misër ose është bërë ndonjë darkë më solemne, por jo diçka më shumë. Tjetër festë krishtere që është festuar nga banorët e kësaj ane është edhe ajo e Shën Gjergjit. Tani Shën Gjergji nuk dihet se kush është, dhe as tradita katolike dhe as tradita ortodokse nuk kanë se çka të thonë për këtë shenjtor, por mendimi im është se ka gjasa që festa të jetë në datë, në frymë, në traditë dhe në themele pagane ilire, por e kristianizuar me një emër të një të krishteri gjatë kohës bizantine. Kjo festë sigurisht se ka qenë e lashtë, pra ilire, dhe është lidhur me ciklin e natyrës, pasi edhe sot njerëzit në këto anë janë të lidhur me këtë ditë kur ata besojnë se fillon vera, ose se dimri përnjëmend ka përfunduar, ose edhe kur njeriut iu është dhënë një shpresë për të jetuar. Populli i kësaj ane di për Shën Gjergj dhe Shën Mitër si stinë. Shën Gjergji domosdo është lidhur edhe me jetën e bagëtive. Po kështu me traditën ilire e më pastaj të kristianizuar lidhet edhe rituali i asaj që populli e quan lerthat. Është vërejtuar se kur bagëtia shkonte në kullota pas dimrit i bëheshin shenja në formë të kryqit në shpinë për mbrojte nga sëmundjet, syri i lig ose ujku. Madje deri vonë gratë kur e kanë gatuar bukën kanë bërë shenja kryqi në bukë, ose edhe në zënien e djathit.


Gjurma e tetë: Ka shumë mikrotoponime në Krilevë që janë me bazë të latinishtes, të greqishtes, sigurisht edhe të ilirishtes, shqipes dhe të sllavishtes por jo edhe të turqishtes: Kulina, Rapuha, Bregu i Lames, Qylkajt, Qylkia, Lugu i Qulkut, Kroni i Stefanit, Kroni i Memalisë, Arat e Kishës, Gjyteti, Mirashi, Predina, Kabuja, Prroni i Popit, Bara, Liteci, Guri i Nuses, Guri i Madh, Guri i Shpuem, Guri i Leksit, Guri i Bardhë, Kunaci i Sinanit, Bota, Baçevishta, Melishta, Mella, Pontica, Mali i Sosun, Samakova, Livagje, Ara e Rrezës, Dardhishka, Bishtoku, Pusat, Arat e Lufit, Ara e Shkaut etj.


Gjurma e nëntë: Sipas gojëdhënave të të moçmeve diku gati para 250 vjetëve në Krilevë ka ardhur të banoj një familje nga fushat e Leskocit, dhe që kryefamiljari është vendosur në mëhallën e epërme të fshatit, dhe se emri i tij ishte Gjon. Gjoni ishte shqiptar, i krishterë ortodoks por duket se ishte shumë i ndikuar nga islami, pasi dihet se shqiptarët e jugut të Serbisë ishin konvertuar më përpara në fenë islame sesa banorët autoktonë shqiptarë të Malësisë së Gallapit. I biri i Gjonit quhej Hysen. Gjoni e kishte vëlla Marën. Kur erdhi kjo familje në Krilevë ende fshati dominohej nga të krishterët shqiptarë autoktonë, por që aty kishte edhe disa shqiptarë të cilët dhunshëm ishin islamizuar por që nuk u dihet fati i tyre dhe lidhjet me trungun (familjen) gjonaj (sot cakollët, demollët dhe ahmetët). Hap pas hapi kjo familje e ardhur do ta mbipopullojë fshatin pasi islamizohen në brezin e dytë, dhe sidomos pas ikjes së qylkajve për në Boston dhe vende të tjera.


Gjurma e dhjetë: Paraardhësit tanë kanë dëshmuar se për ndërtimin e pjesëve të qytetit të Novobërdës janë përdorur edhe gurë nga Krileva dhe janë transportuar dorë pas dore. Dëshmi tjetër është gjatë kohës romake ose bizantine në vendin e quajtur Samakovë, afër Rapuhës kishte një shkritore hekuri, dhe gjatë kohës së Shqipërisë siç shprehet populli edhe sot këtu, pra gjatë pushtimit italian, Krileva ishte nën zonën italiane dhe në Samakovë i kishte sjellë sërish disa makina për shkrirjen e atyre mbeturinave që dikur i kishin hedhur paraardhësit e tyre.


Përfundim: Krileva është një vendbanim i lashtë, më shumë se 2000 vjet. Çdoherë kishte popull shumicë iliro-shqiptarë. Krileva bënte pjesë nën mbretërinë e Dardanisë, dhe pastaj bie nën romakë, e pastaj nën bizantinë, pastaj nën serbë, turq dhe italianë. Krilevasit deri në fund të shekullit XVIII që të gjithë ishin të krishterë ortodoksë. Krileva kishte kishë, kishte kala, kishte qytezë, kishte treg antik, kishte shkritore hekuri, kishte lidhje të drejtpërdrejta me Novobërdën. Krileva sot për kah numri i banorëve është fshati më i madh në Malësinë e Gallapit.

Botuar me leje te autorit: Dr. Femi Cakolli, pastor

P.S.

Autori është doktor i shkencave filologjike, pastor i Kishës Protestante si dhe botues.

Ky shkrim nuk lejohet që të botohet në asnjë medium tjetër pa miratimin e autorit: copyright © autori.

Në këtë shkrim autori përdor emrat e vendeve ashtu si janë ende zyrtarisht të pranuara.

Modifikimi i fundit ( e martė , 25 dhjetor 2007 )
< Mbrapa   Pėrpara >
Lexime te tjera me interes...
Menuja Shtese
Konkursi i Poezisė
Abonohu - BULETINI
Perkushtim-Spurgeon
Forumi
Galeria
Na Kontaktoni
Lutuni per...
E-mail
Admin
Konkursi i Poezise se Krishtere
albKristian.com organizon “Konkursin e Poezisë së Krishterë”
Spurgeon

albKristian.com - Portali Krishtere Shqiptar. Copyright (c) 2002 - 2008