.: albKristian.com
Kryefaqja arrow Materiale arrow Materiale Historike arrow Kisha e Gjon Pagezorit: "Dokumentimi mesjetar" ne Derven
Kryefaqja
Aktualitet
Materiale
Apologjia
Bibla Shqip
Pyetje-Pergjigje
Faqe te Krishtera
Fjalori
Kerko
Me Te Fundit...
Info-Kulture
Faqja e Vjeter
Te pranishem...
Ne kemi 49 vizitore nė linjė
No Members Online.
Logohuni
Kisha e Gjon Pagezorit: "Dokumentimi mesjetar" ne Derven Printo E-mail
Është rizbuluar gjatë punimeve për ndërtimin e një kishe të re pranë saj dhe përbën një objekt të veçantë arkeologjik, prej të cilit mund të përftohen të dhëna interesante. Kisha e Gjon Pagezorit në fshatin Derven që prej muajit shkurt i është "nënshtruar" gërmimeve arkeologjike, me synim zbulimin e monumentit dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij.

Një "barrë" e marrë përsipër nga Instituti Arkeologjik në Tiranë, që më pas do të duhet t'ia kalojë "stafetën" Institutit të Monumenteve të Kultures. Por që për pamjaftueshmëri fondesh është një punë që nuk dihet se kur do të mbarojë.

Arkitektura

"Në stadin e tanishëm të gërmimit mund të themi se kemi filluar të njohim një pjesë të elementëve të arkitekturës së monumentit. Kisha është njënefshe e pajisur dhe me një hajat në anën jugore",- shprehet prof. Skënder Muçaj.

Muret e kishës ruhen në lartësi të konsiderueshme (pak më poshtë se niveli i tyre maksimal) vetëm në pjesën lindore të kishës, deri në pothuajse gjysmën e gjatësisë së saj. Më në perëndim muret janë prishur deri në një kuotë 1.4-1.5 m më të ulët. "Kjo ka ndodhur pasi pas mbulimit të kishës nga aluvionet ajo është përdorur në një kuotë mjaft më të lartë, por vetëm në pjesën lindore të saj",- shpjegojnë specialistë të arkeologjisë.

Nisur nga plani dhe elementët e tjerë të saj, kisha e Gjon Pagëzorit renditet deri tani me një numër kishash njënefshe të datuara kryesisht në shek. XIII-XIV. Në plan më afër ajo është me kishën e Sh. Markut në kalanë e Danjës e datuar në fundin e shek. XIII dhe fillim të shek. XIV, kurse elementë të tjerë të arkitekturës e përafrojnë atë me kishën e Kuçit, Priskës së Vogël, Priskës së Madhe, Përcëlleshit, Zgërdheshit, Maxharës dhe Pllanës të datuara po në këtë periudhë.

Afresku

"Në fazën e parë të përdorimit të kishës muret kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere të bardhë mbi të cilën duken edhe gjurmë ngjyre të kuqe dhe okër pa mundur të dallojmë në të ndonjë motiv. Në një fazë të dytë pjesa lindore e kishës është veshur me afresk ku janë vendosur tre piktura, njëra në absidë dhe dy të tjerat në veri dhe në jug të saj",- thotë Elio Hobdari nga Instituti Arkeologjik. Duke shpjeguar se piktura e absidës dhe ajo e faqes në jug të saj ruhen në pjesën më të madhe të tyre, kurse piktura në faqen veriore u gjet tepër e dëmtuar dhe ka krijuar vështirësi për identifikimin e personazheve të pikturuar.

Në absidë, skena ka në qendër figurën e Krishtit, kurse në të djathtë dhe në të majtë të tij të drejtuar drejt tij dhe në lëvizje janë paraqitur Shën Pjetri dhe Shën Pali. Në skenën në jug me përmasa të mëdha janë pikturuar Shën Mëria dhe Shën Gjon Pagëzori. Në të dy këto skena mungojnë portretet.

Në nishen e krijuar në derën e murosur është vendosur një suva mbi të cilën sapo ka filluar të zbulohet piktura me skenën e lajmërimit: Shën Mëria me një libër në dorë dhe ëngjëlli Gabriel. Si pikturat në faqen lindore dhe ajo në nishe shquhen për cilësi të lartë vizatimi dhe ngjyrat e përdorura. Pikturat i takojnë dy fazave të ndryshme, më e hershme është ajo e faqes lindore. Në stadin aktual të shqyrtimit të saj si datë më të mundëshme të pikturimit saj do të propozonim shek. XIV, kurse ajo e nishes ngjashmëri ka me pikturat e fazës së dytë të kishës së Balldrenit, që sipas restauratorit të saj Z. Marika, i takojnë shek. XIV-XV.

Gërmimi i deritanishëm tregon se kisha e Shën Gjon Pagëzorit, është një monument me vlera të veçanta të arkitektonike dhe artistike. Zbulimi i plotë i saj do të ndihmojë për të hedhur bazat për një studim të dokumentuar sa më mirë për kishat e Shqipërisë Mesme dhe Veriut gjatë periudhës mesjetare.

Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në fshatin Derven u rizbulua gjatë punimeve për ndërtimin e kishës së re pranë saj. E mbuluar krejtësisht nga aluvionet e lumit Gjoles ajo nuk njihej nga banorët vendas, ndonëse kisha e fundit e ndërtuar aty (e shkatërruar në 1967) ishte ngritur mbi muret e ndërtimit origjinal. Edhe pse gjatë hapjes së një kanali drenazhi ishte prishur një pjesë muri, kjo nuk ishte bërë shtysë për kërkime të mëtejshme.

Fushata 21 ditore e gërmimeve filloi në 6 shkurt 2007 me synim zbulimin e monumentit dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij.

Historiku "i pagjurmuar" i një territori kishtar

Pjesa e territorit midis lumenjve Mat dhe Shkumbin, në shpinë të kryeqendrës së Dyrrahut, megjithëse ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë periudhave historike, në pikëpamje arkeologjike është gjurmuar shumë pak. Kësaj të mete nuk i kanë shpëtuar dhe gjurmimet për identifikimin dhe studimin e monumenteve të kultit kristian nga fillimet e tij deri nga fundi i shekullit XVII, kur pjesa më e madhe e popullsisë së kësaj zone u konvertua në fenë myslimane dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndërtime të reja.
 
Treva për të cilën bëhet fjalë sot gjendet e ndarë në katër njësi të ndryshme administrative: Tiranë, Krujë, Durrës dhe Kurbin; kurse me pushtimin turk në regjistrimin e vitit 1431-1432 shumë fshatra të kësaj treve ishin pjesë e timarit të Akçahisarit (Krujës). Në pikpamje të ndarjes kishtare, duke filluar nga shek. X, ajo ka qenë pjesë e Dioqezës së Krujës.
 
Kërkimet dhe gjurmimet e sapo filluara, nga punonjësit e Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në territorin e rrethit të Tiranës, kanë treguar se në këtë zonë ka një numër të madh kishash dhe kuvendesh të ndërtuar duke filluar nga fundi i shekullit XI deri në fundin e shek. XIV. Zona e Kurbinit, po aq e pasur sa ajo e Tiranës, ka ngelur deri tani jashtë vemëndjes së këtij projekti. Zbulimi dhe gërmimi i kishës së Dervenit do të jetë një shtysë për të eksploruar në vazhdim edhe këtë zonë.

Pas tërheqjes së Bizantit më 1071 dhe kalimit të kryqtarëve të parë më 1096 ky territor ka qenë jo vetëm në synimet ushtarake të shteteve perëndimore, por dhe në vemëndjen e kishës katolike, e cila është përpjekur që këto territore t’i vërë nën juridiksionin e saj. Me anë të urdhrave benediktinë, domenikanë dhe françeskanë ajo ka ushtruar influencën e saj në kishat e kësaj zone edhe kur kryepeshkopata e Durrësit ishte ortodokse. Kjo duket më së miri në arkitekturën e Kuvendit të Shën Mërisë në Shërmi të Tiranës dhe në kishën e manastirit të Shna Ndout të Rodonit, në afreskun e kishës së Shën Mërisë në Shërmi të Krujës, Shën Kollin e Priskës së Vogël, Shën Lukën e Madh (Shuksimadh) në Herraj, Manastirin e Priskës së Madhe dhe kapelat rreth tij, Kishën e Shën Todrit në Kuç (TR) etj.

Shenim: Ofruar dhe perdorur me leje nga Vjoleta Murati (Asnje perdorim tjeter nuk lejohet pa lejen e autores)

Modifikimi i fundit ( e premte , 13 korrik 2007 )
< Mbrapa   Pėrpara >
Lexime te tjera me interes...
Menuja Shtese
Konkursi i Poezisė
Abonohu - BULETINI
Perkushtim-Spurgeon
Forumi
Galeria
Na Kontaktoni
Lutuni per...
E-mail
Admin
Konkursi i Poezise se Krishtere
albKristian.com organizon “Konkursin e Poezisë së Krishterë”
Spurgeon

albKristian.com - Portali Krishtere Shqiptar. Copyright (c) 2002 - 2008