|
Për të krishterët, Pashka përmban një simbolizëm të pasur profetik i cili na çon përpara tek Jezus Krishti. Dhjata e Re na mëson qartë se festat hebraike “janë hija e atyre që kanë për të ardhur” (Kol. 2:16-17; Heb. 10:1) d.m.th. shpengim nëpërmjet gjakut të Jezus Krishtit. Vini re pikat e mëposhtme që na kujtojnë Shpëtimtarin tonë dhe vullnetin e Tij për ne.
1) Zemra dhe shpirti i ngjarjes së Pashkës ishte hiri shpëtues i Perëndisë. Perëndia i nxorri izraelitët nga Egjipti jo ngaqë ata ishin një popull shumë i vlefshëm, por ngaqë Ai i donte ata dhe ngaqë Ai ishte besnik ndaj Besëlidhjes së Vet (shihni LiP. 7:7-10). Po kështu, shpëtimi që marrim nga Krishti vjen tek ne nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë (shihni Efe. 2:8-10, Tit. 3:4-5). 2) Gjaku që vendosej tek shtalkat dhe tek arkitrau i derës kishte si qëllim që të shpëtonte të parëlindurin e secilës familje nga vdekja; ky gjak na drejton tek derdhja e gjakut të Krishtit në kryq me qëllim që të na shpëtojë nga vdekja dhe nga zemërimi i Perëndisë kundrejt mëkatit (Eks. 12:13,23,27; Heb. 9:22). 3) Qengji i Pashkës ishte një “sakrificë” (Eks. 12:27) që funksiononte si një zëvendësues për të parëlindurin; kjo sakrificë na drejton tek vdekja e Krishtit si një zëvendësim për vdekjen e besimtarit (shihni Rom. 3:25). Pali e quan hapur Krishtin Qengjin tonë të Pashkës që u sakrifikua për ne (1 Kor. 5:7). 4) Qengji mashkull i shënuar për vdekjen duhej të ishte “pa të meta” (Eks. 12:3); qengji paratregon pamëkatshmërinë e Krishtit, Birin e përsosur të Perëndisë (krahaso Gjoni 8:46; Heb. 4:15) 5) Ngrënia e qengjit përfaqësonte identifikimin e bashkësisë izraelite me vdekjen e qengjit, një vdekje që i shpëtonte ata nga vdekja fizike. Në mënyrë të ngjashme, marrja e Darkës së Zotit përfaqëson pjesëmarrjen tonë në vdekjen e Krishtit, një vdekje që na shpëton nga vdekja jonë frymërore (1 Kor. 10:16-17; 11:24-26). Ashtu siç ndodhte në rastin e Pashkës, vetëm sakrifica fillestare, vdekja e Tij në kryq ishte një sakrificë efektive. Ne e zbatojmë Darkën e Zotit si një përkujtimore, “në përkujtimin” e Tij (1 Kor. 11:24). 6) Spërkatja e gjakut tek shtalkat dhe arkitrau i derës kryhej duke u bindur në besim (Eks. 12:28; krahaso Heb. 11:28); kjo përgjigje me besim solli shpengimin nëpërmjet gjakut (Eks. 12:7, 13). Shpëtimi nëpërmjet gjakut të Krishtit përfitohet vetëm nëpërmjet “bindjes në besim” (Rom. 1:5; krahaso 16:26). 7) Qengji i Pashkës duhej ngrënë bashkë me bukën pa maja (Eks. 12:8). Meqë në Bibël, majaja zakonisht përfaqëson mëkatin dhe prishjen (shihni Eks. 13:7; Mateu 16:6, Marku 8:15) kjo bukë e ndorme përfaqësonte ndarjen e izraelitëve të çliruar nga Egjipti, d.m.th. nga bota dhe nga mëkati (shihni Eks. 12:15). Në mënyrë të ngjashme, njerëzit e shpenguar të Perëndisë janë thirrur që ta ndajnë veten nga bota mëkatare dhe t’ia përkushtojnë veten vetëm Perëndisë Donald Stamps Full Life Study Bible
|