|
Kur një besimtar në të mbinatyrshmen, takon një tjetër besimtar të tillë, menjëherë ndjen një afërsi që natyrshëm supozon një kuptim të ngjashëm për realitetin, por pa kaluar shumë kohë ndërsa bisedojnë, mund të shohësh që janë larg si nata me ditën.
Shumë njerëz pyesin se si ka mundësi që besimtarë të sinqertë duke u përpjekur të kuptojnë të vërtetën me ndershmëri, të kenë pikëpamje kaq të ndryshme për Zotin dhe rrugën e Tij. Në fakt, Zoti ka folur dhe e vërteta është e zbuluar në botë. Ai ka siguruar dritë të mjaftueshme që njerëzit ta dallojnë. Sidoqoftë, vetëm atyre që janë të përkushtuar të kërkojnë të vërtetën pa kompromis, ta pranojnë fjalën e Tij, ta hapin edhe zemrën ndaj kuptimit, atyre që luftojnë për thellësi kuptimi, atyre që e kërkojnë si argjendin që gërmojnë si për një thesar të fshehur, atyre mençuria do t’jua gjejë derën e zemrës dhe njohuria do të jetë e shijshme për shpirtin e tyre; Zoti premton se atëherë ata do të arrijnë njohjen e Tij dhe do të kuptojnë frikën e Zotit. Duke qenë nga një familje me traditë myslimane ishte e vështirë për krenarinë time që të vihesha përballë kuptimit të krishterë për disa çështje në lidhje me myslimanizmin që mendoja se i dija. Besoj që unë nuk jam i vetmi që ndjehet kështu kur i duket sikur “vjen djali t’i tregojë arat babait”, prandaj do të dëshiroja që secili të shqyrtojë zemrën e tij e të sigurohet që ka të njëjtin qëndrim të kërkuesit të së vërtetës si përshkruhet më sipër sepse qëllimi i këtij shkrimi nuk është të tregojë kush fiton apo humb me argumente, as kush është me i zgjuar e kush ka të drejtë, por sa të jetë e mundur të shohim më qartë për të kuptuar të vërtetën që në masën më të madhe nuk varet nga inteligjenca sa nga qëndrimi i zemrës. Kam ndërmend të merrem këtu me disa pyetje që natyrshëm dolën para meje ndërsa përpiqesha të kuptoja më mirë disa koncepte myslimane, kur i ballafaqoja me Biblën,“Libri” siç quhet nga kurani që e konsideron si fjalën e Zotit (Sura 3:84; 5:43-47). Myslimanët vërtetë besojnë shumë gjëra për Zotin që janë të ngjashme me ato që besojnë të krishterët. Unë nuk do të paraqes këtu gjithë gamën e ngjashmërive apo ndryshimeve të kuptimit të tyre për Zotin, por do të shkëpus tre çështje që janë të lidhura në një mënyrë shumë domethënëse: 1) festa myslimane e kurban bajramit, 2) lindja e Jezusit (Isai) dhe kurbani, 3) kryqi i Jezu Krishtit dhe kurbani. 1. Festa e Kurban Bajramit Aishja tregon se Muhameti ka thënë; ”Në Ditën e Kurbanit njeriu nuk ka bërë asgjë më të pëlqyeshme për Zotin se derdhjen e gjakut , sepse me të vërtetë gjëja e gjallë e flijuar do të vijë në Ditën e Ringjalljes me brirët e tij, flokët, thundrat dhe pesha e veprës së sakrificës do të jetë e madhe, vërtet gjaku i tij arrin pranimin, pëlqimin e Zotit para se të bjerë në tokë, prandaj gëzohuni në të. (Mishkat, Libri 4, kapitulli 42, seksioni 2) Myslimanët dhe të krishterët kanë ngjashmëri edhe në shumë përshkrime të figurave historike si për shembull Abrahami (Ibrahimi).Të dy palët e tregojnë me shumë pasion historinë e birit që iu lind Abrahamit në një moshë të vjetër dhe pastaj iu kërkua nga Zoti që ta bënte kurban. Myslimanët e vlerësojnë aq lart Abrahamin dhe e kanë besimin e tij një shembull kaq të madh saqë çdo vit ata e përkujtojnë këtë ngjarje në festën e Kurban Bajramit. Çdo vit ata duhet të zgjedhin qengjin më të mirë pa asnjë difekt apo të metë, qengjin e përsosur. Duhet ta therin pastaj, duke derdhur gjakun e tij në kujtim të historisë kur Zoti i siguroi dashin Abrahamit për ta therur në vend të djalit të vet, që Ai i kishte kërkuar ta bënte kurban për t’i provuar besimin.
Një detaj i vogël i kësaj historie ngre një pyetje të rëndësishme për ta shqyrtuar seriozisht. Ndërsa po shkonin në vendin ku do bëhej kurbani, i biri e pyet Abrahamin, “Baba, zjarrin edhe drutë i kemi, po ku është qengji për sakrificën (kurbanin)?” (Zanafilla 22:7). Duket që djali e dinte proçedurën e ritualit të kurbanit. Ndoshta e kishte parë të atin të bënte kurbane të tilla disa herë. Kjo pyetje ngre një çështje të rëndësishme për diskutim: kuptimi i ritualit të kurbanit. Pse bëheshin kurbanet, apo cili është qëllimi i kurbanit? Bibla, ”Libri” që Kurani vetë e konsideron Fjalën e Zotit (Sure 6:154-157; 40:12), shkruar në histori dhjetra shekuj para Kuranit, ka informacion të dorës së parë për këtë (Sure 10:94), domethënë Abrahami vetë dhe Moisiu e të tjerë kanë lënë shkrime apo kujtimet e veta që përmblidhen në Bibël siç i frymëzoi Zoti. Që në fillim në Bibël, ne lexojmë se Zoti i tha Adamit: “Kur të hash nga kjo pemë (pema e njohjes të së mirës dhe të keqes), ti patjetër do të vdesësh” (Zanafilla 2:16,17). Ngrënia nga pema nënkuptonte mosbindjen ndaj Perëndisë dhe pikërisht mosbindja ose rebelimi ndaj Perëndisë është ajo që përkufizohet si mëkat. Për të kuptuar më mirë kontekstin e bërjes së kurbanit të parë besoj se ia vlen të ndalemi për pak momente duke imagjinuar situatën në kopshtin e Edenit në mbrëmjen e ditës kur Adami dhe Eva mëkatuan duke ngrënë nga pema e ndaluar. Në flladin e ditës (Zanafilla 3:8), kur vjen koha për të shijuar shoqëri dhe biseda pas një dite të mbushur me aktivitet, Perëndia vjen si zakonisht të shoqërohet me krijesat e Tij njerëzore. Këtë rradhë do të jetë hera e fundit sepse Adami dhe Eva kanë vendosur ta prishin miqësinë me Të, që nënkuptohet nga mëkati i kryer tashmë nga ata, duke mos dëshiruar të bëjnë atë që donte Zoti Perëndi por atë që dëshiruan vetë. Kjo zgjedhje e njerëzve të parë, paraardhësve tanë, për të jetuar pa mbajtur këshillat dhe pa iu nënshtruar urdhrave të Perëndise do të thotë prishje e marrëdhënies harmonike që kishin me Perëndinë të bazuar në besim tek fjala e Tij. Adami dhe Eva as që duan ti dalin në takim si zakonisht Perëndisë, por ashtu si do t’i fshiheshin njëri tjetrit në një pyll të dendur, futen më kot për tu fshehur në mes pemëve të kopshtit. Megjithëse ata e dinë se asgjë nuk mund ti fshehë nga sytë e Zotit, ata mendojnë se Ai do ta kuptojë që ata s’duan ta takojnë më dhe do ti lerë të qetë, ashtu si kur dikush që nuk do të takohet me ty, duket sikur nuk të vë re kur haseni në rrugë duke shpresuar se ti nuk do të duash të takohesh me të gjithashtu. Por Perëndia nuk i la të qetë sepse i donte më shumë se e donin ata. Një pjesë e bisedës së asaj dite është e regjistruar në kapitullin e tretë të librit të parë të Biblës dhe pas bisedës “Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lekure dhe i veshi” (Zanafilla 3:21). Duke qenë i bindur se lekurët edhe në atë kohë nuk gjendeshin si gjethe të ndonjë peme të vecantë, unë besoj se Zoti theri një kafshë për të siguruar lëkurën e nevojshme për veshjen e Adamit dhe Evës. Duhet të ketë qenë hera e parë që njerëzit panë gjak me sy dhe duhet të ketë qenë një mësim i paharrueshëm ai që Adami dhe Eva morën atë ditë. Adami e njihte mirë qengjin që u therë atë ditë sepse ai vetë i kishte vënë emrin pak kohë më parë (Zanafilla 2:19). Ai qengj i parajsës ishte i përsosur dhe i bindur si manar. Zoti duhet ti ketë kujtuar Adamit dhe Evës se edhe ata kishin qenë si ai qengj pa asnjë të metë dhe të bindur si fëmijë të mirë para se të vendosnin të rebeloheshin ndaj Perëndisë duke ngrënë frutin e pemës së ndaluar. Perëndia u kishte thënë se pasoja e mëkatit është vdekja dhe tani ishte koha për ta parë çdo të thoshte kjo. Çfarë kanë menduar Adami dhe Eva kur panë gjakun të vërshojë nga koka e prerë e qengjit të përsosur, kur nuk kishte më as blegërimë as ndonjë lëvizje të kafshës së dashur? Nëse jeta shfaqet si një dinamikë lëvizjeje që ka kuptim kur të paktën dy gjëra ndërveprojnë me njëra tjetrën, si gjaku që leviz në venat e trupit, atëherë vdekja është mungesa e kësaj që ndodh nga një ndarje, shkepje, copëtim i dickaje të bërë për të qenë si një e tërë. Një mësim i qartë per Adamin dhe Evën duhet të ketë qenë që njeriu u bë për të jetuar në praninë e Perëndisë ashtu si gjaku është bërë për të qëndruar në trup, dhe prishja e kësaj lidhje apo ndarja e këtyre dy gjërave, derdhja e gjakut nga trupi, konsiston në vdekje. Këtë ndarje nga Perëndia shkaktoi mosbindja e tyre në ngrënien e frutit të ndaluar; gjërat nuk janë më si me pare. Frika dhe tmerri duhet të ketë pushtuar në ketë situatë prindërit tanë mëkatarë.
Unë besoj se therja e qengjit nga Perëndia ka përfshirë treguar një mësim edhe më të thellë se kaq. Unë e imagjinoj bisedën e Perëndisë të ketë vijuar pak a shumë kështu: “Adam, ky qengj nuk meriton të vdesë sepse nuk është si ti që ke mëkatuar. Ti ke sjellë vdekjen mbi vete Adam dhe mbi gjithë rracën njerëzore që do vijë nga fara jote. Tani që e sheh realitetin e vdekjes ti dëshiron të kthehesh edhe një herë në gjendjen e pafajsisë si ky qingj i parajsës por nuk don shumë mend për të kuptuar që kjo është e pamundur përndryshe jeta do të ishte një lojë. Unë nuk kisha ndërmend të luaja kur krijova jetë nga vetja ime prandaj me gjithë seriozitetin e mundshëm të paralajmërova se jeta jote varet nga marrëdhënia me mua, bazuar në besimin tek unë dhe mosbesimi yt i shfaqur nga ngrënia e frutit të ndaluar prish këtë lidhje jetësore për ty duke sjellë ndarjen nga Unë d.m.th. vdekjen. Mëkati ka pasoja të pashmangshme; mëkati nuk është si një fjalë goje që e merr era por ndryshon jetën në vdekje. Unë ta kam thënë këtë që në fillim dhe ju do ta provoni vetë këtë vdekje që ka filluar në momentin e mëkatit duke ju ndarë shpirtërisht nga unë dhe në pak kohë duke e ndarë edhe jetën nga trupi juaj ashtu si u nda gjaku nga trupi i këtij qengji të therrur.
Tani ka ardhur koha t’ju them çfarë duhet bërë në këtë situatë.Unë ju dua dhe tani po ju tregoj se çfarë do të bëj për ju. Meqë mëkati është shkaku vdekjeprurës, Unë duhet të të pastroj ty nga barra e mëkatit duke e marrë vetë atë barrë duke bërë kurban për ty. Më vonë do ta kuptosh më mirë këtë por tani kupto një gjë themelore: kurbani paraqet dashurinë e ndërhyrësit zëvendësues. Kurbani paraqet një ndërhyrje për të zgjidhur këtë situatë të shkaktuar nga mëkati dhe zgjidhja lidhet me zëvendësimin. Ja si bëhet kjo, shiko këtë qingj: Imagjino fajin tënd si ato gjethe fiku të mjera që simbolizojnë barrën e mëkatit tënd. Faji yt, si të ishte veshja jote e mëkatit, do të vihet mbi qengjin e parajsës. Kështu qengji duke u veshur me mëkatin tënd do të identifikohet me ty; do të konsiderohet fajtori që duhet të marrë vdekjen që është pasoja e pashmangshme e mëkatit. Meqë ai bëhet zëvendësuesi yt, derdhet gjaku i qengjit që nënkupton pagimin e mëkatit me jetë, kurse mbi ty do të vihet pafajsia e qengjit të parajsës ashtu si lëkura e tij e bardhë që simbolizon veshjen e të pastrit dhe të drejtit. Ti do mbulohesh me veshjen e përsosmërisë dhe do të konsiderohesh sikur të ishe i pafajshmi duke marrë kështu një jetë të re dhe nje identitet të ri. Në kohën e caktuar unë do të sjell qengjin tim të përsosur që do të lindë nga fara e gruas, por deri atëherë bëjeni këtë ritual të kurbanit që të kujtoni si ndërhyj unë për zgjidhjen e mëkatit tuaj (Zanafilla 3:15).” Ky koncept i kurbanit duket të ketë zënë vend mirë në jetën e njerëzve qysh nga Adami. Ne shohim që fëmijët e Adamit dhe Evës bënin kurban (Zanafilla 4:3-4), pastaj edhe pas përmbytjes së madhe kur vetëm familja e Noes mbijetoi shohim bërjen e kurbanit të vazhdojë si më parë (Zanafilla 8:20). Në këtë kontekst duhet kuptuar pse edhe Abrahami praktikonte kurbanin dhe i biri ishte i njohur me ritualin e kurbanit. Mësimi i kurbanit pra është i qartë ashtu si shkruhet më vonë tek Levitiku kapitulli 16: “Do të bëhet kurban për ty për të të pastruar para Zotit. Ti do të jesh i pastruar nga të gjitha mëkatet e tua.” Gjaku i kurbanit është mënyra si bëhet pastrimi nga mëkati, shlyerja e borxhit ndaj drejtësisë. “Sepse jeta qëndron në gjakun, prandaj ju kam urdhëruar ta vini këtë (flinë) mbi altar për të bërë shlyrjen për jetën tuaj sepse është gjaku që bën shlyrjen e fajit për jetën ” (Levitiku 17:11). Ishte Zoti vetë që bëri kurbanin e parë duke derdhur gjakun e një kafshe. Duke i dhënë Adamit lëkurën e kafshës për veshje, qartazi tregohet si Perëndia siguron për mbulimin e mëkatit të Adamit. Zoti është shpëtimtari; Zoti është i vetmi që ka mundësi të shpëtojë njeriun nga pasoja e pakthyeshme e mëkatit dhe e ka treguar që mënyra si bëhet kjo është me derdhjen e gjakut që vetë Zoti e siguron ashtu si siguroi dashin për Abrahamin. Ky koncept i kurbanit si mbulim mbrojtës për të mënjanuar goditjen ndaj mëkatit përshkruhet qartë edhe kur Zoti i shpëtoi izraelitët në Egjipt. Tek kapitulli 12 i Eksodit lexojmë se si Zoti siguroi për mbrojtjen e tyre: “…merrni një qengj...qengji të jetë pa të meta…thereni në të ngrysur …pastaj do të merrni gjakun dhe lyeni shtalkën e derës ku do ta hani…Unë do të kaloj dhe do të godas,…unë jam Zoti. Gjaku do të jetë një shenjë, kur të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur kur të godas… Ajo do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend…kur bijtë tuaj t’ju pyesin çfarë kuptimi ka ky rit për ju, përgjigjuni ‘kjo është flija e pashkës së Zotit që goditi Egjiptin…dhe i fali shtëpitë tona’…’veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua…’” Pse Zoti nuk fal thjesht pa kërkuar gjë? Pse duhet derdhur gjaku patjetër? Nuk duhet harruar se mëkati solli vdekjen. Adami dhe Eva nuk u krijuan që të vdisnin por që të jetonin përjetësisht në shoqërinë e Perëndisë. Ishte zgjedhja e tyre që të mos i bindeshin Perëndisë duke ngrënë nga pema e ndaluar që solli si pasojë asgjësimin e bazës së jetës në shoqërinë e përjetshme me Perëndinë. Prishja e shoqërisë me Perëndinë konsiston në vdekjen shpirtërore apo humbjen e mundësisë për jetën e përjetshme që do të thotë se njeriu karakterizohet tashmë edhe nga vdekja fizike. Unë nga dashuria mund ti them “të kam falur” djalit tim që duke thyer urdhërin tim pi lëngun helmues por ai ka nevojë edhe për një vepër konkrete shëruese për ta asgjësuar shkakun vdekjeprurës. Pra, mëkati është më shumë si një sëmundje që ka nevojë për ilaç, jo vetëm një fjalë falje. Një sëmundje që solli kaq dhimbje dhe lotë meriton drejtësinë që Zoti premtoi duke e dënuar me vdekjen. Duhet të mbajmë parasysh se megjithëse Zoti është i ofenduari nga rebelimi i njeriut dhe vetëm Atij i kemi borxhin e fyerjes apo të mëkatit prandaj vetëm Ai mund të na falë, në të njëjtën kohë Zoti është edhe administratori i drejtësisë apo përgjegjësi sovran për të zbatuar drejtësinë në botën e Tij. “Paga për mëkat është vdekja“ (Rom. 6:23), thotë ligji i drejtësisë së Tij.
Pse qengji më i mirë, i përsosur, pa të metë? Sepse vetëm i përsosuri nuk meriton vdekjen (Ligji i Përtërirë 15:21)! Kjo duket paradoksale: theret i përsosuri sepse vetëm i përsosuri nuk e meriton të theret! Vetëm sa për ilustrim, imagjino një kolonë njerëzish njëri pas tjetrit ku i pari është Adami, e dyta Eva, pastaj me radhë të gjithë njerëzit që kanë lindur nga Adami në gjithë historinë pa asnjë përjashtim duke përfshirë edhe mua edhe ty e të gjithë njerëzit që jetojnë sot. Bibla thotë: “…me anë të një njeriu (Adamit) mëkati hyri në botë e me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit sepse të gjithë njerëzit mëkatuan” (Rom. 5:12). Të gjithë kemi bërë një krim që meriton vdekjen prandaj po presim në radhë ekzekutimin një nga një. Askush nuk mund të dalë nga rreshti sepse numri i krimeve është egzaktësisht i barabartë me numrin e njerëzve dhe një krim (mëkati) lahet me një jetë. Asnjë krim nuk mund të lihet pa ndëshkuar pra asnjë njeri nuk mund të lihet pa dënuar, përndryshe drejtësia nuk zbatohet. Si mund të shpëtohet qoftë edhe një njeri pa u anuluar drejtësia? Imagjino sikur jashtë rreshtit është qengji i përsosur që nuk ka bërë krimin prandaj nuk e meriton dënimin. Sipas këtij skenari, si mund të shpëtohesh ti? Vetëm në qoftë se krimi që kërkon një jetë njeriu merr jetën e qengjit dhe ti merr vendin e qengjit jashtë rreshtit. Theret i përsosuri sepse vetëm i përsosuri nuk meriton të theret!!! Ky paradoks merr kuptim vetëm kur kupton që ka një qëllim, ka një arsye: Zoti i gjithësisë dëshiron të ndërhyjë, të shpëtojë njeriun nga dënimi i pashmangshëm i mëkatit. Po të mos ndërhyjë Zoti njeriu thjesht merr atë që i takon, dënimin. Qengji, pra, bëhet kurban për njeriun. Njeriu ka bërë mëkatin që meriton vdekjen por është qengji që merr vdekjen apo mëkatin mbi vete duke i dhënë njeriut pastërtinë e tij, me një qëndrim si ai i nënës që i thotë birit, “t’u bëfsha kurban” ose “të marrsha të keqen.” Qengji, pra, është zëvendësuesi që mund të dhurojë përsosmërinë e tij, pastërtinë e tij, kurse çdo njeri mundet vetëm të zëvendësohet me qengjin për të mos marrë dënimin që meriton për mëkatin, pra, vdekjen. “…Kur dikush …sjell një sakrificë…ta çojë …me vullnetin e tij përpara Zotit. Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e flisë, që do të pranohet NË VEND TË TIJ, për të shlyer dënimin NË VEND TË TIJ” (Levitiku 1;2,3,4). Kjo përshkruan vetëm anën teknike të procesit që ndodh kur Zoti i fal dënimin njeriut. Duhet të mbajmë parasysh se në mrekullinë e shpëtimit përfshihen pendimi dhe realitete të tjera shpirtërore që s’po i diskutojmë këtu. Nga historia e Abrahamit del qartë që ishte Zoti ai që siguroi qengjin (dashin) për ta zëvendësuar me birin e Abrahamit. Kurbani në këtë rast nuk u bë për mëkatin e Abrahamit apo të birit të tij, por dukshëm është simbolika e Zotit që siguron qengjin e përsosur, “…kurban të rëndësishëm” siç e quan kurani (Sure 37:107). Në mbyllje të kësaj pike, dua që të mbajmë në mendje përgjigjen ndaj pyetjeve që morën shkas nga reagimi i birit të Abrahamit: Cili është qëllimi i kurbanit? Pse një qengj i përsosur? 2. Lindja e Jezusit dhe Kurbani Pika e dytë që dua të theksoj ka të bëje me një çështje tjetër që myslimanët dhe të krishterët e kanë të përbashkët: lindja e Jezusit. Në kuran është e shkruar që Jezusi u lind pa baba dhe kjo është një shenjë për ata që besojnë (Sure Merjeme 19:20,21). Atëherë, që të jesh mysliman do të thotë të besosh në lindjen e mrekullueshme nga virgjëresha të Jezus Krishtit. Kjo, thotë Kurani, është një shenjë për të dalluar nëse je besimtar. S’kam takuar ende një mysliman të vërtetë që të mohojë këtë, por ama, s’kam takuar as ndonjë mysliman që i përgjigjet pyetjes time: “Cili është qëllimi që Zoti donte që të përmbushte me lindjen e Jezuit pa baba, nga një virgjëreshë?” Disa thonë që ishte thjeshtë për të treguar që Zoti është i fuqishëm, por unë mendoj se ata e rrëzojnë vetë këtë përgjigje kur thonë se Zoti e bëri si me Adamin, që ishte krijuar pa nënë edhe pa baba, pra, Zoti s’kishte ndonjë gjë të re për të na treguar nëse Jezusi është një krijesë. Sigurisht, që kjo mrekulli, nuk mund të ishte as për të bindur njerëzit që të besojnë, sepse askush përveç Marise (Merjemes) nuk ishte dëshmitar dhe të gjithë duhet ta pranojnë me besim lindjen pa baba të Jezusit. Pse Jezusi, ndryshe nga gjithë njerëzit e botës u lind në këtë mënyrë? Të jesh profet nuk ke nevojë të lindesh pa baba. Kurani e konsideron Jezusin një nga profetët më të shquar që ringjalli njerëz nga të vdekurit (Sure 3:49) dhe bëri mrekullitë më të mëdha, thekson që ishte pa mëkat (Sure 19:17,19), flet për Të si fjala e Zotit (Sure 3:45), madje thotë se Jezusi është me trup sot në qiell (Sure 4:158) dhe do të vijë për ditën e gjykimit (Sure 43:61 ), por për sa i përket lindjes, thjeshtë e përshkruan pa dhënë një përgjigje për qëllimin e Zotit në lindjen e tij pa baba. A ka mundësi që Jezusi të jetë lindur pa baba që të ishte pa njollën e mëkatit, (tendenca me të cilën lind çdo njeri që prej Adamit), që të ishte i vetmi njeri plotësisht i panjollë, i drejtë, plotësisht i përsosur, plotësisht hyjnor? A ka mundësi që Jezusi të jetë qengji i Zotit i simbolizuar në shekuj si qengji i kurbanit që u shfaq në kohën e caktuar? Në Bibël thuhet: “Ja qengji i Zotit që lan mëkatin e gjithë botës” (Ungjilli Gjoni 1:29). “…pashka jonë që është Krishti, u flijua për ne” (Letra 1 Korintasve 5:7). Tani vijmë në pikën kritike, vendin ku kryqëzohen e ndahen gjithë fetë e botës: kryqi i Jezu Krishtit dhe domethënia e tij. 3. Kryqi dhe Kurbani Pika e tretë ka të bëjë me një çështje ku myslimanët dhe të krishterët ndahen plotësisht. Çuditërisht kjo ka të bëjë me çështjen më të qartë, që mund të analizohet pa hyrë në debate teologjike: vdekja në kryq e Jezusit. Vdekja e Jezusit në kryq është një ngjarje historike, ajo ose ka ndodhur (siç thonë të krishterët) ose nuk ka ndodhur (siç thonë myslimanët). Ashtu si çdo ngjarje historike edhe kjo duhet shqyrtuar në bazë të dëshmive historike, dëshmitarëve okularë dhe jo në bazë të ideve të paracaktuara apo paragjykimeve. Ndërmjet dëshmive të tjera historike, Bibla është burimi kryesor dhe siç thotë Dr. Clark H. Pinnock, profesor i teologjisë sistematike në Regent College: ”Nuk ekziston asnjë dokument tjetër nga bota antike, që të jetë vërtetuar nëpërmjet kaq shumë dëshmive historike dhe tekstuale kaq të shkëlqyera dhe që te ofrojnë një radhitje të pakrahasueshme të të dhënave historike mbi të cilat mund të merret një vendim i arsyeshëm. Njeriu i ndershëm nuk mund të mohojë një burim të tillë informacioni. Skepticizmi lidhur me besueshmërinë historike të krishterimit bazohet në paragjykimin irracional (kundër të mbinatyrshmes).” Myslimanët në fakt, besojnë në të mbinatyrshmen, ata madje besojnë që Jezusi është i gjallë me trup sot në qiell, siç thotë edhe Bibla. Një arsye e fortë për myslimanët që ta mohojnë vdekjen e Jezusit nuk ka të bëjë me fakte historike por me turpin që përfaqëson kryqi. “Zoti s’mund të lejonte që Jezusi, profeti i madh, të çnderohej dhe mallkohej me një vdekje të denjë vetëm për kriminelët në kryq”- thonë ata. Madje edhe pasuesit e Jezusit, ata që për disa vjet e kishin ndjekur kudo, kishin parë mrekullitë e tij e ishin të bindur që ishte Mesia, mendonin në këtë mënyrë sepse në Bibël shkruhet: “Në rast se dikush ka kryer një krim që meriton vdekjen dhe ka pësuar vdekjen, dhe ti e ke varur në një dru, kufoma e tij nuk do të rrijë tërë natën mbi pemën, por do ta varrosësh po atë ditë sepse ai që rri varur është i mallkuar nga Perëndia, dhe ti nuk do ta ndotësh tokën që Zoti, Perëndia yt të jep si trashëgimi” (Ligji i përtërirë 21: 22-23). Unë njësohem plotësisht me ata në këtë ndjenjë të thellë nderimi për Jezusin e pastër pa asnjë njollë, të dërguarin e Zotit. Krishti nuk e meritonte të vdiste. Krishti nuk mëkatoi. Jezusi ishte i vetmi pa mëkat, pa asnjë faj, pa asnjë të metë. Jezusi ishte i përsosur, po, Jezusi nuk e meritonte të vdiste, sidoqoftë pikërisht këtu duket qartë ngjashmëria me qengjin e kurbanit. Qengji ishte pa asnjë të metë, pa njollë, i përsosur. Qengji nuk e meritonte të vdiste; njeriu, mëkatari po.
A ka mundësi që qëllimi i Zotit për Jezusin e ardhur nga lart, i lindur jo nga fara e burrit, të jetë sigurimi i qengjit për kurban për mua dhe për ty, për mëkatarët? A ka mundësi që Jezusi vdiq vdekjen time dhe vdekjen tënde në kryqin e turpit që unë dhe ti të jetojmë në faljen dhe dashurinë e Zotit? Këtë konkluzion pasuesit e Jezusit nuk e nxorrën nga debatet teologjike por nga goja e vetë Jezusit që e panë të gjallë pas vdekjes dhe varrimit, kur prekën me dorë vendin e plagëve të tij pas ringjalljes, kur të mahnitur hanin peshk rreth zjarrit në breg të liqenit me atë që e kishin qarë të vdekur pak ditë më parë, kur para se të ngjitej në qiell mu para syve të tyre u tha : “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju, se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe psalmet”. Atëherë ua hapi mendjet e tronditura nga vdekja në kryq, që ashtu si për myslimanët sot edhe për ta nënkuptonte mallkim, që të kuptonin Shkrimet duke u thënë: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ringjallej së vdekuri ditën e tretë dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt…ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave”(Luka 24:44-48). Ne nuk mund të imagjinojmë dot që kjo të ketë ndodhur. Nuk mund të imagjinojmë një dashuri të tillë për ne, që të bënte Jezusin e përsosur të varej në kryq. Historia e Abrahamit (kur merr me mend agoninë e atit që sakrifikon birin për hatër të dikujt tjetër) mund të shërbejë edhe si simbolikë e dashurisë së Zotit. Kryqëzimi i Jezusit ndodhi ”Sepse Zoti aq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij që kushdo që beson në Atë të mos humbë por të ketë jetën e përjetshme” (Ungjilli sipas Gjonit 3:16). Abrahami me siguri ka qenë gati të vdiste vetë para se të linte të birin të vdiste. Ashtu edhe Ati Perëndi e siguroi vetë gjakun që duhej të derdhej për ne, Ai sakrifikoi nga vetja e Tij kur lejoi Jezus Krishtin të vdiste në kryq për njerëzit. Ai nuk ia hodhi dënimin dikujt tjetër, por pagoi nga vetja sepse Bibla e thotë qartë që Ati dhe Biri janë nje (Gjoni 10:30), Ati është në Birin dhe Biri është në Atin (Gjoni 10:38, ), “Ati qëndron në mua, është Ai që i bën veprat,” -thotë Jezusi (Gjoni 14:10). Në të njëjtën kohë kemi Jezusin që thotë gjithashtu: “Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time…askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja…”(Gjoni 10:17-18). Duke bërë vullnetin e Atit Jezus Krishti bën edhe vullnetin e Tij, Ai e dha jetën në kryq vullnetarisht. “Vështirë në fakt, të vdesë dikush për një njeri të drejtë, por mbase ndonjë edhe do të vdiste për një njeri të mirë. Ama, Zoti e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që kur ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakët 5:7,8). ”Zoti është dashuri,” -thotë Bibla. Nuk mund të presim një dashuri të tillë nga dikush që nuk e njihnim e nuk e nderonim, por Zoti është mahnitës. Askush nuk mund ta kuptojë një dashuri të tillë, por nga ana tjetër ne nuk pritet që të kuptojmë gjithçka. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është se në lidhje me pyetjen “Kush eshte Jezusi?” çdo njeri përcakton destinacionin e jetës së tij. Nuk ka pozicion të ndërmjetëm. Nëqoftëse Zoti ka bërë një kurban për ty, që është e vetmja shpresë shpëtimi (Jezusi - qengji), atëherë ka vetëm dy pozicione që përcaktohen nga një përgjigje për pyetjen: “Do ta pranosh kurbanin që Perëndia bëri për ty?” Nëse thua “po” do të thotë se ti pranon dhe beson në Jezusin si qengjin e Zotit që merr dënimin për mëkatin tënd. Çdo përgjigje tjetër, të le ty në pozicionin e atij që do të vuajë vetë dënimin e tmerrshëm. Unë u përpoqa të tregoj si merr përgjigje pyetja për kuptimin e lindjes dhe vdekjes së Jezusit në lidhje me kuptimin e kurbanit në dritën e Biblës, e vetmja përgjigje e plotë që kam gjetur. Ju lutem mbani parasysh që këtu jemi marrë kryesisht me aspektin konkret të natyrës njerëzore të Jezus Krishtit (Jezusi-njeri) e cila është e pashkëputshme nga natyra e Tij hyjnore (Jezusi-Zot) që në këtë artikull vetëm është nënkuptuar. Koncepti i kurbanit, lindja nga virgjëresha, dhe vdekja e Jezusit në kryq kanë një domethënie, nuk janë rastësi. Po kështu, edhe ringjallja e Jezusit, egzistenca e Tij me trup sot në qiell, nuk është thjesht një histori për t’u mahnitur si me një përrallë por ka një qëllim: atë të dhënies së një cilësie jete të re të gjithë atyre që besojnë. “Atyre që e pranuan dhe i besuan, u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Zotit, atyre që besojnë në emrin e Tij” (Gjoni 1:12). E gjitha kjo vjen nga dora e mëshirshme e Zotit gjithëdashës. Ata nuk bëhen fëmijë të Zotit thjeshtë duke u lindur në këtë botë, pra as nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por lindur nga Zoti “me besim” (shih ungjillin Gjoni 1:12,13 dhe 3:1-8 ). “Jeni shpenguar nga mënyra e kotë e trashëguar nga etërit jo me anë gjërash që prishen si argjendi ose ari por me gjakun e çmuar të Krishtit si të qengjit të patëmetë dhe të panjollë të paranjohur përpara krijimi të botës për t’u shfaqur kohët e fundit për ju” (Letra e parë e Pjetrit 1:18-20). Në Bibël gjithashtu thuhet se “Në fakt NJË është Zoti, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Zotit dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri i cili e dha veten si çmim për të gjithë …në kohën e caktuar” (1 Timoteut 2:5,6). “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve me anë të të cilit ata shpëtohen” (Veprat 4:12). Jezusi i ringjallur thotë: ”Unë qëndroj para derës dhe trokas, unë do të hyj tek ai që e dëgjon zërin Tim dhe e hap derën,“ (Apokalipsi 3:20). “Gjoni e pa Jezusin …dhe tha: “Ja qengji i Zotit që heq mëkatin e botës” (Ungjilli Gjoni 1:29). Bibla thotë – Jezus Krishti është qengji i kurbanit për gjithë njerëzit. Po ti si thua? *** Shkruar nga YLLI HYSEN DOCI
|