Kisha nuk është thjesht një institucion me karakter fetar, që përkufizohet si një vend-takim (ndërtesë) përkatës apo një klasë njerëzish të caktuar. Përkundrasi, kisha përfaqëson komunitetin e njerëzve të cilët janë thirrur veçmas nga Perëndia. Vetë kuptimi i fjalës “kishë” apo “eklesia”, sipas greqishtes së lashtë ne Dhjatën e Re, nënkupton “të thirrurit” ose “ata që janë thirrur veçmas”! Kisha ka një synim dhe shërbesë të caktuar nga vetë Perëndia.
Përkufizimi i termit biblik tregon shumë qartë se sa e veçantë është kisha, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e misionit dhe shërbesës që ajo duhet të përmbushë bazuar mbi thirrjen e Perëndisë dhe normativat që Ai ka përcaktuar në Fjalën e Tij - Biblën.
Kuptohet që ky është përkufizimi i parë dhe bazë. Një përkufizim tjetër, që mbase do t’i përshtatej më mirë temës të cilën po trajtojmë, do ishte ky: “Një komunitet bashkohor besimtarësh me vlera dhe bindje biblike”.Ky përkufizim mbase është më i përshtatshëm pasi e dallon kishën si një komunitet njerëzish (besimtarësh), i cili nuk është i shkëputur nga realiteti bashkëkohor në të cilin ekziston dhe që njëkohësisht nuk neglizhon apo anashkalon përgjegjësitë dhe vlerat e vërteta biblike.
Megjithëse, nuk është ky synimi i këtij shkrimi, nëse do të përpiqeshim të bënim një përmbledhje të shkurtër të shërbesës dhe përgjegjësive biblike të kishës, atëhere mund t’i përmbledhim ato duke thënë që kisha është komuniteti i cili ka si shërbesë të vetën: shpalljen e ungjillit të Krishtit, dishepullizimin, inkurajimin dhe nxitjen e besimtarëve, përkujdesjen në lutjen dhe me vepra për nevojat e çdokujt, duke nisur nga ato të vetë të besimtarëve, etj.
Për më tepër, nëse marrim në konsideratë kontekstin bashkëkohor në të cilin jetojmë, atëhere kishës i duhet të gjejë dhe operojë në mënyra dhe mjete të cilat e lejojnë atë të përmbushë misionin dhe shërbesën e saj biblike brenda këtij konteksti.
Pse kisha duhet që të jetë bashkohore?
Sepse ajo duhet të dijë se si t’i përshtatet sa më mirë nevojave dhe kontekstit kulturor, social dhe teknologjik të kohës në të cilën jeton, për të qenë sa më e suksesshme në ndikimin dhe realizimin e misionit të saj. Kishës i duhet të jetë në rradhë të parë dhe mbi të gjitha biblike dhe duhet ta përçojë misionin dhe shërbesën e saj në mënyra dhe me mjete bashkohore.Kjo nënkupton që i duhet të përdorë“mjete” dhe “mënyra” bashkohore.
Përshtatja me kontekstin kulturor dhe social të njerëzve të cilëve kisha përpiqet t’u shërbejë është një nevojë e ilustruar mjaft mirë edhe në Bibël.
Pali ishte shembulli më i mirë në nivelin individual të besimtarit. “19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz. 20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t'i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t'i fituar ata që janë nën ligj; 21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj. 22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz. 23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij” (1 Korintasve 9:19 - 23).
Ai ishte më se i vetëdijshëm për misionin që Perëndia i kishte ngarkuar dhe për hir të thirrjes, ai e nënshtronte vetveten duke i’u përshtatur kontekstit dhe njerëzve tek të cilët sillte mesazhin e ungjillit.
Çfarë roli luan teknologjia këtu? Vazhdimi i këtij artikulli do të prezantojë disa prej mjeteve/mënyrave të cilat kisha(t) mund t’i përdorin për të përmbushur misionin dhe shërbesën e tyre brenda kontekstit bashkohor në të cilin jetojmë dhe punojmë. Këto mënyra/mjete që do prezantojmë janë shembuj të disa prej gjërave që besimtarët brenda një kishe mund të bëjnë duke u organizuar dhe kontribuar gjithësecili në shërbim të shërbesës së përbashkët dhe nevojave të të gjithëve.
Komunitetet virtuale – Interneti
Interneti ofron një shumëlloshmëri mënyrash dhe mjetesh që kishat, organizatat dhe shërbesat e krishtera mund t’i shfrytëzojnë për të çuar më tej misionin dhe shërbesën e kishës në kontekstin bashkohor në të cilin jetojmë.
Shembulli i parë, që dua të sjell është grupi i diskutimit me E-mail. Ky grup funksionon plotësisht nëpërmjet internetit dhe lidhet me adresat personale të E-mail-it të anëtarëve të një kishe përkatëse. Në dallim nga format e zakonshme ku mesazhi vetëm dërgohet tek një liste e caktuar adresash E-mail, kjo formë lejon që të gjithë anëtarët e listës të mund të diskutojnë me njëri-tjetrin duke i çuar mesazhet e tyre në një adresë të përbashkët E-mail-i ku të gjithë marrin nga një kopje dhe mund të përgjigjen lirshëm. Shembull konkret i këtij koncepti janë grupet e diskutimit që mund të krijohen në Google, Yahoo, MSN, etj., ose të hostohen në ndonjë server të caktuar. Avantazhi i këtij opsioni është që jo të gjithë anëtarët duhet të dijnë se si të instalojnë dhe operojnë një listë të tillë, pra mjafton një ose dy persona dhe të tjerët thjesht shkruajnë duke përdorur adresën e tyre personale të E-mail-it.
Disa nga avantazhet lehtësuese të kësaj mënyre janë: dërgimi i njoftimeve dhe nevojave për lutje, diskutimi dhe inkurajimi ndërmjet vetë besimtarëve. Nuk ka ndonjë shpenzim për mirëmbajtjen pasi një grup listë e tillë mund të hapet falas dhe të menaxhohet në kohën e lirë të vetë anëtarëve, etj. Një nga shembujt më konkret është grup lista e kishës “Asambleja Ndërkombëtare Protestante” (njohur ndryshe si Kisha Ndërkombëtare), e cila ka një listë me mbi 50 anëtarë të cilët komunikojnë të gjithë me anë të Email-it me njëri-tjetrin rregullisht.
Faqet në Internet
Shembulli i dytë është hapja e një Faqe në Internet për një kishë apo shërbesë të caktuar (si shembulli i albKristian.com). Megjithëse mund të duket e vështirë të krijosh dhe mirëmbash një faqe në internet, realiteti është që mundësitë dhe mënyrat për të krijuar një faqe janë nga më të ndryshmet. Ato mund të krijohen shumë kollaj, qoftë edhe me pak mbështetje nga dikush më me eksperiencë ose thjesht duke u përpjekur dhe mësuar vetë.
Avantazhet e kësaj mënyre janë: prezantimi i kishës/shërbesës, oraret dhe njoftimet përkatëse, mesazhe dhe predikime, ungjillizim, etj, etj.[i]
Mesazhet e shkurtra SMS
Shembulli i tretë i përdorimit të teknologjisë, është përdorimi i mesazheve të shkurtra me celular, ndryshe quajtur “SMS”. Ky lloj komunikimi mund të përdoret jo vetëm për të dërguar mesazhe të shkurtra shoqërore, por edhe për të dërguar nevoja lutje tek të tjerët, ose njoftime për takime të veçanta, etj. Gjithësesi, shumë prej nesh besoj e përdorin sakaq këtë mjet komunikimi dhe jemi familiarizuar goxha me mundësitë që na ofron. Tash e tutje le të fillojmë të mendojmë se si mund ta përdorim edhe kete mjet për lavdinë e Perëndisë në përmbushje të misionin dhe shërbesës së Kishës.
Teknologjia në funksion të misionit dhe shërbesës së Kishës
Shembujt që dhamë dhe ato që mund të jeni duke i përdorur do ishin një humbje kohe dhe një punë pa vlerë nëse nuk do ishin me të vërtetë në funksion të misionit dhe vetë shërbesës së kishës. Prandaj, është e pashmangshme që Kisha dhe besimtarët të kuptojnë thirrjen dhe misionin e Perëndisë për ta.
Teknologjia ofron mjetet bashkohore për të përmbushur më mirë nevojat dhe përgjegjësitë e Kishës në një kontekst bashkëkohor, qoftë kjo nga ana e kulturës, komunikimit, besueshmërisë, ndikimit, etj.
Nëse ne si “Kisha” besojmë se Perëndia zgjodhi mënyrën/mjetin më të mirë për të na komunikuar të Vërtetën e Tij, atëhere edhe ne duhet të mendojmë seriozisht për mjetet dhe mënyrat më të mira për ta komunikuar atë. Perëndia zgjodhi Birin e Tij për të na sjellë shpëtimin. Fjalën e Tij e la të shkruar në faqet e asaj që ne e quajmë Bibla, ndërkohë Kisha është ajo e cila duhet t’ja përcojë këto të Vërteta botës dhe kulturës në të cilën jeton me mjetet më të mira që disponon.
Disa shembuj konkretë
Faqe të rikrijuara si UneJetoj.org, e cila ka zgjedhur një përqasje plotësisht të re për të përmbushur misionin e saj, është një shembull konkret i një organizate të krishterë e cila ka zgjedhur të shfrytëzoj internetin për të përhapur dëshminë e besimtarëve të krishterë për besimin tonë.
ForumiKatolik.net është vazhdimi i një shërbese tjetër të krishterë të mbështetur nga besimtarë katolikë, por që përfshin besimtarë dhe anëtarë nga më të ndryshmit.
Për faqe të tjera të krishtera shqiptare, ju lutem vizitoni faqen tonë “Faqe të Krishtera”
Konkluzione shtesë
Për ne si albKristian.com, interneti përbën arenën ku ne u shërbejmë shqiptarëve (Kush Jemi). Kjo faqe mund të konsiderohet si një nga faqet e para të mirëfillta të krishtera në internet. Që nga ajo kohë numri i faqeve të krishtera shqiptare është rritur ndjeshëm dhe ky është një inkurajim i vërtetë edhe për ne. Shpresa dhe dëshira jonë është që besimtarët dhe vetë Kisha do jetë në gjendje ta përçojë misionin dhe shërbesën e saj edhe nëpërmjet mjeteve që na ofron teknologjia.
Autor: Elvis Plaku
[i]albKristian.com ofron sherbimin e hostimit te faqeve tuaja ne internet. Per kete ju ftojme te na kontaktoni ne adresen