|
Besëlidhja (Marrëveshja) e Lozanës: Kongresi Ndërkombëtar mbi Ungjillizimin Mbarëbotëror, Lozanë, Zvicër. Hyrje Ne, antarët e Kishës së Jezu Krishtit, nga më shumë se 150 vende, pjesmarrës të Kongresit Ndërkombëtar mbi Ungjillizimin Mbarëbotëror në Lozanë, e lavdërojmë Perëndinë për shpëtimin e Tij të madh dhe gëzohemi në bashkësinë që Ai na ka dhënë me Të dhe me njëri-tjetrin. Ne jemi shumë të prekur nga çfarë Perëndia po bën në ditët tona, jemi të penduar për dështimet tona dhe të sfiduar nga detyra e pambaruar e ungjillizimit. Ne besojmë që ungjilli është lajmi i mirë i Perëndisë për mbarë botën, dhe ne jemi të vendosur që nëpërmjet hirit të Tij t’i bindemi porosisë së madhe të Krishtit për t’a shpallur në të gjithë njerëzimin dhe për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet. Prandaj, ne dëshirojmë të pohojmë besimin dhe vendosmërinë tonë, dhe ta shpallim publikisht besëlidhjen tonë.
1. Qëllimi i Perëndisë Ne pohojmë besimin tonë në Perëndinë e vetëm dhe të përjetshëm, Krijues dhe Zot i botës: Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë, i cili sundon gjithçka sipas qëllimit të vullnetit të Tij. Ai ka qenë duke thirrur nga bota njerëz për veten dhe i ka dërguar njerëzit e Tij përsëri në botë për të qenë shërbyesit dhe dëshmitarët e Tij, për zgjerimin e mbretërisë së Tij, për ndërtimin e trupit të Krishtit, dhe për lavdinë e emrit të Tij. Ne rrëfejmë me turp se:shumë herë, ne e kemi mohuar thirrjen tonë, dhe e kemi dështuar në misionin tonë, duke iu konformuar botës ose duke u tërhequr nga ajo (thirrja). Megjithashtë, ne gëzohemi sepse edhe kur vjen nga enë tokësore, ungjilli mbetet përsëri një thesar i paçmuar. Ne dëshirojmë t’ia ofrojmë veten tonë përsëri detyrës, në fuqinë e Frymës së Shenjtë, që ta bëjmë këtë thesar të njohur. (Isaia 40:28; Mateu 28:19; Efesianëve 1:11; Veprat e Apostujve 15:14; Gjoni 17: 6,18; Efesianëve 4:12; Romakëve 12:2; 1 e Korintasve 5:10; 2 e Korintasve 4:7) 2. Autoriteti dhe fuqia e Biblës Ne e pohojmë frymëzimin hyjnor, vërtetësinë dhe autoritetin e Shkrimeve të Dhjatës së Vjetër dhe asaj të Re në plotësinë e tyre si e vetmja Fjalë e shkruar e Perëndisë, pa gabim në gjithçka që pohon, dhe si standarti i vetëm i padështueshëm për besimin dhe praktikën. Ne gjithashtu, pohojmë fuqinë e Fjalës së Perëndisë për të përmbushur qëllimin e Tij të shpëtimit. Mesazhi i Biblës është për të gjithë njerëzimin, pasi zbulesa e Perëndisë në Krishtin dhe në Biblën është e pandryshueshme. Fryma e Shenjtë na flet prej saj edhe sot. Ai i ndriçon mendjet e njerëzve të Perëndisë në çdo kulturë, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë në mënyrë të freskët (të re) nëpërmjet syve të tyre dhe si rezultat i shfaq të tërë kishës në mënyrë të vazhdueshme urtësinë e shumë-ngjyrshme të Perëndisë. (2 e Timoteut 3:16; 2 e Pjetrit 1:21; Gjoni 10:35; Isaia 55:11; 1 e Korintasve 1:21; Romakëve 1:16; Mateu 5:17,18; Juda 3; Efesianëve 1:17,18; 3:10,18) 3. Veçantia dhe universaliteti i Krishtit Ne pohojmë që megjithëse ekzistojnë një shumllojshmëri e madhe metodash ungjillizuese, ka vetëm një Shpëtimtar dhe vetëm një ungjill. Ne e pranojmë se të gjithë njerëzit kanë njëfarë njohurie për Perëndinë nëpëmjet zbulesës së Tij të përgjithshme në natyrë. Por ne e mohojmë idenë që kjo mund të sjelli shpëtim, pasi njerëzit e shtypin të vërtetën me padrejtësinë e tyre. Ne gjithashtu e mohojmë si kundërshtuese me Krishtin dhe ungjillin çfarëdo lloj sinkretizmi dhe dialogu, që nënkupton (supozon) që Krishti, flet në mënyrë të njejtë nëpërmjet të gjitha feve dhe ideologjive. Jezus Krishti, duke qenë i vetmi Perëndi-njeri, i cili e dha veten si shpengimi i vetëm për mëkatarët, është i vetmi ndërmjetësues ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Nuk gjendet asnjë emër tjetër nëpërmjet të cilit mund të shpëtohemi. Të gjithë njerëzit po humbasin për shkak të mëkatit, por Perëndia i do të gjithë njerëzit, dhe nuk do që askush të humbasë por që të gjithë të pendohen. Ndërkohë, ata që e refuzojnë Krishtin ja mohojnë vetes gëzimin e shpëtimit dhe e dënojnë vetveten në ndarje të përjetshme nga Perëndia. Ta shpallësh Jezusin si “Shpëtimtarin e botës” nuk është njësoj sikur të pohosh që të gjithë njerëzit janë automatikisht apo përfundimisht të shpëtuar, dhe aq më pak nëse pohon që të gjitha fetë ofrojnë shpëtim në Krishtin. Në të vërtetë kjo thënie do të thotë që të shpallësh dashurinë e Perëndisë për një botë mëkatarësh duke i ftuar të gjithë njerëzit që t’i përgjigjen atij si Shpëtimtar dhe Zot nëpërmjet një pendimi dhe besimi plotësisht të përkushtuar nga zemra. Jezus Krishti është lartësuar përmbi çdo emër tjetër; dhe ne mezi e presim ditën kur çdo gju do ti përulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë që Ai është Zot. (Galatasve 1:6-9; Romakëve 1:18-32; 1 e Timoteut 2:5,6; Veprat 4:12; Gjoni 3:16-19; 2 e Pjetrit 3:9; 2 e Thesalonikasve 1:7-9; Gjoni 4:42; Mateu 11:28; Efesianëve 1:20,21; Filipjanëve 2:9-11) 4. Natyra e ungjillizimit Që të ungjillizosh do të thotë që shpërndash lajmin e mirë që Jezus Krishti vdiq për mëkatet tona dhe u ngrit nga të vdekurit sipas Shkrimeve, dhe që tani si Zot mbretërues, Ai i ofron faljen e mëkateve dhe dhuratën çliruese të Frymës të gjithë atyre që pendohen dhe besojnë. Prania jonë si të krishterë është e pazëvendësueshme për ungjillizimin, dhe po njësoj është edhe dialogu, qëllimi i të cilit është të dëgjojë me kujdes në mënyrë që të kuptojë. Por mbi të gjitha, ungjillizimi vetë është shpallja historike, dhe biblike e Krishtit si Shpëtimtar dhe Zot, duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit që të vijnë tek Ai në mënyrë personale për tu pajtuar me Perëndinë. Kur japim ftesën e ungjillit ne nuk e kemi lirinë apo të drejtën për tu fshehur atyre çmimin e të qënit dishepull. Pasi Jezusi, edhe sot e kësaj dite, i thërret ata që duan ta ndjekin atë që ta mohojnë vetveten, të marrin kryqin e tyre, dhe ta identifikojnë vetveten me bashkësinë e tij të re. Rezultatet e ungjillizimit përfshijnë bindjen ndaj Krishtit, përfshirjen në kishën e Tij dhe shërbesën e ndërgjegjëshme në botë. (1 e Korintasve 15:3,4; Veprat 2:32-39; Gjoni 20:21; 1 e Korintasve 1:23; 2 e Korintasve 4:5; 5:11,20; Luka 14:25-33; Marku 8:34; Veprat 2:40,47; Marku 10:43-45) 5. Përgjegjësia shoqërore e krishterë Ne pohojmë që Perëndia është njëkohësisht Krijuesi si edhe Gjykuesi i të gjithë njerëzve. Si rezultat, ne duhet që të kemi të njejtat shqetësime të Tijat për drejtësi dhe ripajtim kudo nëpër shoqërinë njerzore dhe për çlirimin e çdo njeriu nga çfarëdo lloj shtypjeje. Për shkak se njerëzimi është krijuar në imazhin e Perëndisë, çdo person, pa pasur parasysh racën, fenë, ngjyrën, kulturën, klasën, seksin dhe moshën, ka një dinjitet thelbësor të pamohueshëm për shkak të të cilit ai duhet të respektohet dhe shërbehet, e jo të shfrytëzohet. Këtu gjithashtu, ne shprehim pendesë, si për neglizhencën ashtu edhe për faktin që e kemi konsideruar ungjillizimin dhe përfshirjen shoqërore si gjëra të ndara nga njëra-tjetra. Megjithëse pajtimi me njeriun nuk është pajtim me Perëndinë, as veprimi social- ungjillizim, as çlirimi politik- shpëtim, prapëseprap ne pohojmë që ungjillizimi dhe përfshirja socio-politike janë pjesë të detyrës tonë të Krishterë. Pasi që të dyja, janë shprehje të rëndësishme to doktrinave tona të Perëndisë dhe njeriut, të dashurisë tonë për afërmin dhe bindes tonë ndaj Jezusit. Mesazhi i shpëtimit nënkupton gjithashtu një mesazh gjykimi kundër çdo formë ndarjeje, shtypjeje dhe diskriminimi dhe ne, nuk duhet që të kemi frikë që ta denoncojmë ligësinë dhe padrejtësinë kudo që ato ekzistojnë. Kur njerëzit e pranojnë Krishtin ata rilinden në mbretërinë e Tij dhe duhet të përpiqen që jo vetëm ta shfaqin, por edhe ta shpërndajnë drejtësinë e saj në mesin e një bote të padrejtë. Shpëtimi që ne shpallim duhet që t’i transformojë në tërësi përgjegjësitë tona personale dhe sociale. Pasi besimi pa vepra është i vdekur. (Veprat 17:26-31; Zanafilla 18:25; Isaia 1:17; Psalmi 45:7; Zanafilla 1:26-27; Jakobi 3:9; Levitiku 19:18; Luka 6:27,35; Jakobi 2:14-26; Gjoni 3:3,5; Mateu 5:20; 6:33; 2 e Korintasve 3:18; Jakobi 2:20) 6. Kisha dhe Ungjillizimi Ne pohojmë që Krishti i dërgon njerëzit e shpenguar të Tij në botë ashtu siç Ati e dërgoi atë, dhe kjo është një thirrje për një futje të thellë dhe sakrifikuese në botë. Ne duhet që të dalim jashtë zonave tona kishtare dhe të përhapemi në shoqërinë jokishtare. Në misionin e shërbesës sakrifikuese të kishës, ungjillizimi është primar. Ungjillizimi mbarëbotëror kërkon që e gjithë kisha ta çojë ungjillin në të gjithë botën. Kisha është në qendrën e qëllimit kozmik të Perëndisë dhe është mjeti i Tij i përzgjedhur për shpërndarjen e ungjillit. Por një kishë e cila predikon kryqin, duhet që edhe vetë të dallohet nga kryqi. Ajo bëhet pengesë për ungjillin kur ajo e tradhëton atë ose kur ajo mungon në besim të gjallë në Perëndinë, në dashurinë e vërtetë për njerëzit, ose në ndershmërinë e dukshme për të gjitha gjërat duke përfshirë edhe rritjen në përgjegjësi dhe financa. Kisha është bashkësia e njerëzve të Perëndisë dhe jo thjesht një institucion dhe nuk duhet që të identifikohet me ndonjë kulturë, sistem social ose politik, apo ideologji njerzore të caktuar. (Gjoni 17:18; 20:21; Mateu 28:19,20; Veprat 1:8; 20:27; Efesianëve 1:9,10; 3:9-11; Galatasve 6:14,17; 2 e Korintasve 6:3,4; 2 e Timoteut 2:19-21; Filipjanëve 1:27) 7. Bashkëpunimi në ungjillizim Ne pohojmë që uniteti i dukshëm i kishës në vërtetësi përbën qëllimin e Perëndisë. Ungjillizimi gjithashtu na thërret për unitet, sepse uniteti ynë forcon dëshminë tonë, dhe pasi përçarja e minon ungjillin tonë të pajtimit. Gjithashtu, ne e kuptojmë që megjithëse uniteti ynë mund të marri shumë forma nga ana organizative, kjo nuk do të thotë që ai gjithmonë domosdoshmërisht e përparon ungjillizimin. Prandaj, ne që kemi të njejtin besim biblik duhet që të jemi të bashkuar në shoqëri, punë dhe dëshmi me njëri-tjetrin. Ne rrëfejmë që dëshmia jonë nganjëherë është njollosur nga individualiteti ynë i mëkatshëm dhe nga duplikimi i panevojshëm. Prandaj ne, zotohemi që të kërkojmë një unitet më të thellë në të vërtetën, në adhurim, shenjtëri dhe në mision. Ne do kërkojmë një zhvillimit të bashkëpunimit zonor dhe funksional, për përparimin e misionit të kishës, për planifikimin strategjik, për inkurajim e përbashkët, dhe për shkëmbimin e burimeve dhe eksperiencës. (Gjoni 17:21,23; Efesianëve 4:3,4; Gjoni 13:35; Filipjanëve 1:27; Gjoni 17:11-23) 8. Kishat në partneritet ungjillistik Ne gëzohemi që një periudhë e re misionare ka filluar. Roli dominues i misioneve perëndimore po zvogëlohet shpejt. Perëndia po ngre nga kishat e reja një burim të madh për ungjillizimin mbarë botëror, dhe në këtë mënyrë është duke treguar që përgjegjësia për të ungjillizuar i përket të gjithë trupit të Krishtit. Prandaj, të gjitha kishat duhet që të jenë duke e pyetur Perëndinë dhe veten se çfarë duhet të jenë duke bërë për të prekur zonën e tyre dhe për të dërguar misionarë në pjesë të tjera të botës. Rivlerësimi i përgjegjësisë dhe i rolit tonë misionar duhet që të jetë një proçes i vazhdueshëm. Në këtë mënyrë mund të zhvillohet një partneritet (bashkëpunim) ndërmjet kishave dhe karakteri universal i kishës së Krishtit do të bëhet më i qartë. Ne gjithashtu e falenderojmë Perëndinë, për agjensitë të cilat merren me përkthimin e Biblës, me edukimin teologjik, median e gjerë, literaturën e krishterë, ungjillizimin, misionin, ripërtërirjen e kishës dhe fusha të tjera të specializuara. Ato gjithashtu, duhet që të përfshihen në vetë-ekzaminim të vazhdueshëm, për të vlerësuar efektivitetin e tyre si pjesë e misionit të Kishës. (Romakëve 1:8; Filipjanëve 1:5; 4:15; Veprat 13:1-3, 1 e Selanikasve 1:6-8) 9. Ngutshmëria e detyrës së ungjillizimit Më shumë se 2,700 milion njerëz (2.7 miliard), të cilët përbëjnë më shumë se dy të tretat e të gjithë njerëzimit, mbeten akoma për t’u ungjillizuar. Ne ndihemi të turpëruar që kaq shumë njerëz janë neglizhuar, ky qortim qëndron kundra nesh dhe ndaj të gjithë Kishës. Ndërkohë tani, në shumë pjesë të botës ka një pranueshmëri të paparë ndaj Zotit Jezu Krisht. Ne jemi të bindur që kjo është koha për kishat dhe agjensitë parakishtare që të luten vendosmërisht për shpëtimin e të paprekurve nga ungjilli dhe që të bëjnë përpjekje të reja për të ungjillizuar mbarë botën. Një pakësim i misionarëve të huaj dhe financave, në një vend të ungjillizuar mund të jetë e nevojshme, nganjëhere, për të ndihmuar rritjen e kishës ndërkombëtare për tu vetmbështetur dhe për të krijuar burime për zona të tjera të paungjillizuara. Misionarët duhet që të lëvizin gjithmonë e më lirisht, nga dhe tek të tërë gjashtë kontinentet në një frymë shërbese me përultësi. Qëllimi duhet që të jetë që, nëpërmjet çdo mjeti të mundshëm dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, çdo person të ketë mundësinë për të dëgjuar, kuptuar, dhe marrë lajmin e mirë. Ne nuk mund të pretendojmë që ta arrijmë këtë qëllim pa sakrificë. Ne të gjithë jemi të tronditur nga varfëria e milionave dhe të shqetësuar nga padrejtësitë që e shkaktojnë atë. Ata prej nesh që jetojnë në rrethana të bollshme e pranojmë detyrën tonë për të zhvilluar nje jetesë të thjeshtë në mënyrë që të kontribojmë më shumë për të ndihmuar për lehtësim dhe ungjillizim. (Gjoni 9:4; Mateu 9:35-38; Romakëve 9:1-3; 1 e Korintasve 9:19-23; Marku 16:15; Isaia 58:6,7; Jakobi 1:27; 2:1-9; Mateu 25:31-46; Veprat 2:44,45; 4:34,35) 10. Ungjillizimi dhe kultura Zhvillimi i strategjive për ungjillizimin mbarë botëror kërkon metoda imagjinative dhe nismëtare. Nën Perëndinë, rezultati do të jetë ngritja e kishave të cilat do të jenë të rrënjosura në Krishtin dhe të lidhura ngushtë me kulturën e tyre. Kultura duhet që të provohet dhe gjykohet nga Shkrimet. Meqënëse, burrat dhe gratë janë krijesa të Perëndisë, një pjesë e kulturës së tyre është e pasur me bukuri dhe mirësi. Por për shkak se ata janë të rënë, kultura e tyre është e njollosur nga mëkati dhe një pjesë e saj është e demoniake. Ungjilli nuk presupozon superioritetin e asnjë kulture në krahasim me një tjetër, por i vlerëson të gjitha kulturat sipas kriterit të vet të së vërtetës dhe drejtësisë, dhe insiston për morale absolute në çdo kulturë. Shumë shpesh misionet e huaja kanë eksportuar sëbashku me ungjillin një kulturë të huaj, dhe nganjëherë, kishat kanë qenë nën zotërimin e kulturës në vend të Shkrimit. Ungjillizuesit e Krishtit duhet të përpiqen me përultësi, që ta zbrazin vetveten nga gjithçka tjetër përveç personaliteti të tyre autentik, në mënyrë që të bëhen shërbëtorët e të tjerëve, dhe kishat duhet të përpiqen që ta transformojnë dhe pasurojnë kulturën, duke bërë gjithçka për lavdinë e Perëndisë. (Marku 7:8,9,13; Zanafilla 4:21,22; 1 e Korintasve 9:19-23; Filipjanëve 2:5-7; 2 e Korintasve 4:5) 11. Edukimi dhe udhëheqja Ne rrëfejmë që nganjëherë ne kemi kërkuar rritjen e kishës në kurriz të pjekurisë së saj, dhe e kemi ndarë ungjillizimin nga edukimi i krishterë. Ne gjithashtu, e pranojmë që disa prej misioneve tona, kanë qenë shumë të ngadalta për të pregatitur dhe inkurajuar drejtuesit kombëtar për të marrë përgjegjësitë e tyre përkatëse. Sidoqoftë, ne jemi të përkushtuar ndaj parimeve vendase, dhe dëshirojmë që çdo kishë të ketë drejtues vendas (kombëtar) të cilët shfaqin një stil udhëheqjeje të krishterë, jo në mënyra dominimi, por shërbese. Ne e pranojmë, që ka një nevojë të madhe për përmirësimin e edukatës teologjike, sidomos për udhëheqësit e kishave. Në çdo komb dhe kulturë duhet që të ketë programe efikase përgatitjeje për pastorët dhe besimtarët në përgjithësi në drejtim të doktrinës, dishepullizimit, ungjillizimit, rritjes dhe shërbesës. Programe të tilla nuk duhet të mbështeten mbi metodologji shabllone, por duhet të zhvillohen nëpërmjet iniciativave krijuese vendase në përputhje me standartet biblike. (Kolosianëve 1:27,28; Veprat 14:23; Titit 1:5,9; Marku 10:42-45; Efesianëve 4:11,12) 12. Konflikti frymëror Ne besojmë që ne jemi të përfshirë në një luftë të vazhdueshme frymërore me principatat dhe fuqitë e ligësisë, të cilat mundohen që ta rrëzojnë kishën dhe ta pengojnë atë, nga përmbushja e detyrës së saj për ungjillizimin mbarë botëror. Ne e kuptojmë nevojën për ta pajisur veten tonë me armaturën e Perëndisë dhe për ta luftuar këtë luftë me armët frymore të së vërtetës dhe lutjes. Pasi ne e shohim aktivitetin e armikut tonë, jo vetëm në ideologjitë e rreme jashtë kishës, por gjithashtu brenda kishës në ungjijt e rremë të cilët e shtrembërojnë Shkrimin dhe i vendosin njerëzit në vend të Perëndisë. Ne duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të aftë, në të dalluar në mënyrë që të mbrojmë ungjillin biblik. Ne e pranojmë, që ne vetë nuk jemi të paprekshëm nga idetë dhe veprimet si ato të botës, që nënkupton një dorëzim ndaj sekularizmit. Për shembull, megjithëse studime të kujdesshme të rritjes së kishës, qofshin ato numerike apo shpirtërore, të cilat janë të drejta dhe me vlerë, ne i kemi lënë pas dore nganjëherë. Në raste të tjera, duke dashur që të kemi një përgjigje të gjerë ndaj ungjillit, ne kemi bërë kompromise me mesazhin tonë, duke i manipuluar dëgjuesit tanë nëpërmjet teknikave të presionit, dhe e kemi ngarkuar vetveten në mënyrë të panevojshme me statistikat, ose kemi qenë të pandershëm në përdorimin e tyre. Të gjitha këto janë njësoj me ato të botës. Por megjithëse kisha duhet të jetë në botë; bota nuk duhet të jetë në Kishë. (Efesianëve 6:12; 2 e Korintasve 4:3,4; Efesianëve 6:11,13-18; 2 e Korintasve 10:3-5; 1 e Gjonit 2:18-26; 4:1-3; Galatasve 1:6-9; 2 e Korintasve 2:17; 4:2; Gjoni 17:15) 13. Liria dhe persekutimi Është detyrë e caktuar nga Perëndia për çdo qeveri që të sigurojë kondita paqeje, drejtësie dhe lirie në të cilat kisha mund t’i bindet Perëndisë, dhe t’i shërbejë Zotit Jezus Krisht, dhe të predikojë ungjillin pa ndërhyrje. Prandaj, ne lutemi për drejtuesit e kombeve dhe u bëjmë thirrje që të garantojnë lirinë e mendimit dhe të ndërgjegjes, dhe lirinë për të praktikuar dhe përhapur fenë në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe siç është parashtruar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ne gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë të thellë për të gjithë ata që janë burgosur padrejtësisht, dhe sidomos për ata që janë duke vuajtur për shkak të dëshmisë së tyre për Zotin Jezus. Ne premtojmë, që do të lutemi dhe do të punojmë për lirinë e tyre. Dhe njëkohësisht, ne refuzojmë që të frikësohemi në lidhje me fatin e tyre. Me ndihmën e Perëndisë, ne gjithashtu, do të kërkojmë që të qëndrojmë kundra padrejtësisë duke qenë besnik ndaj ungjillit, cilido qoftë çmimi. Ne nuk i harrojmë paralajmërimet e Jezusit që persekutimi është i paevitueshëm. (1 e Timoteut 1:1-4, Veprat 4:19; 5:29; Kolosianëve 3:24; Hebrenjve 13:1-3; Luka 4:18; Galatasve 5:11; 6:12; Mateu 5:10-12; Gjoni 15:18-21) 14. Fuqia e Frymës së Shenjtë Ne besojmë në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Ati e dërgoi Frymën e Tij që të dëshmonte në lidhje me Birin e Tij; pa dëshminë e tij dëshmia jonë është e kotë. Bindja për mëkatin, besimi në Krishtin, rilindja dhe rritja e krishterë janë të gjitha rezultat i punës së Tij. Akoma më tepër, Fryma e Shenjtë është një frymë misionare; si rezultat ungjillizimi duhet që të dalë në mënyrë spontane nga një kishë e mbushur me Frymën. Një kishë e cila nuk është misionare në karakter, bie në kontradiktë me vetveten dhe e shuan Frymën. Ungjillizimi mbarë botëror, do të bëhet një mundësi realiste vetëm atëhere kur Fryma e ripërtërinë kishën në të vërtetë,urtësi, besim, shenjtëri, dashuri dhe fuqi. Prandaj ne, i bëjmë thirrje të gjithë të krishterëve që të luten për një vizitë të atillë të Frymës sovrane të Perëndisë, që të gjithë frytet e Tij të shfaqen në të gjithë njerëzit e Tij, dhe që të gjithë dhuntitë e Tij ta pasurojnë trupin e Krishtit. Vetëm atëhere e gjithë kisha do të bëhet një instrument i duhur në duart e Tij, në mënyrë që e gjithë bota ta dëgjojë zërin e Tij. (1 e Korintasve 2:4; Gjoni 15:26;27; 16:8-11; 1 e Korintasve 12:3; Gjoni 3:6-8; 2 e Korintasve 3:18; Gjoni 7:37-39; 1 e Thesalonikasve 5:19; Veprat 1:8; Psalmet 85:4-7; 67:1-3; Galatasve 5:22,23; 1 e Korintasve 12:4-31; Romakëve 12:3-8) 15. Kthimi i Krishtit Ne besojmë që Jezus Krishti do të kthehet personalisht dhe dukshëm, në fuqi dhe lavdi, për të konsumuar shpëtimin dhe gjykimin e Tij. Ky premtim i ardhjes së Tij, është një nxitje e mëtejshme për ungjillizim, pasi ne i mbajmë mend fjalët e Tij: që ungjilli duhet të predikohet më parë në të gjithë kombet. Ne besojmë që periudha e ndërmjetshme midis ngritjes së Krishtit dhe kthimit të Tij, duhet të mbushet me misionin e njerëzve të Perëndisë. Ne nuk kemi asnjë të drejtë për të ndaluar përpara fundit. Ne gjithashtu, e mbajmë mend paralajmërimin e Tij që të krishterë të rremë dhe profetë të rremë do të ngrihen si paraardhës të Antikrishtit të fundit. Prandaj ne, e refuzojmë si krenare dhe një endërr e vetbesuar, nocionin që njerëzit mund të ndërtojnë një utopi në tokë. Konfidenca jonë e krishterë është që Perëndia do ta përkryej mbretërinë e Tij, dhe e presim me padurim atë ditë, dhe qiellin dhe tokën e re në të cilat drejtësia do të banojë dhe Perëndia do të sundojë përjetësisht. Ndërkohë, ne e ripërkushtojmë vetveten ndaj shërbesës së Krishtit dhe të njerëzve me një nënshtrim të gëzueshëm ndaj autoritetit të Tij mbi jetët tona në tërësi. (Marku 14:62; Hebrenjve 9:28; Marku 13:10; Veprat 1:8-11; Mateu 28:20; Marku 13:21-23; Gjoni 2:18; 4:1-3; Luka 12:32; Zbulesa 21:1-5; 2 e Pjetrit 3:13; Mateu 28:18) Përfundimi Atëherë, si rezultat i besimit dhe vendosmërisë tonë, ne futemi në një beslidhje soleme me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, për t’u lutur, për të planifikuar dhe punuar sëbashku për ungjillizimin mbarëbotëror. Ne i thërrasim të tjerët që të bashkohen me ne. Na ndimoftë Perëndia me hirin dhe për lavdinë e Tij, që të mbetemi besnik ndaj besëlidhjes tonë! Amen, Haleluja! |