|
“Në mbrojtjen time të parë në gjyq, askush nuk më qëndroi pranë, por të gjithë më lanë; kjo të mos u llogaritet për faj. Por Zoti më qëndroi pranë dhe më dha fuqi, që me anën time shpallja e ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët; dhe unë shpëtova nga goja e luanit. Edhe Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi Atij në jetë të jetëve! Amen.”
2 Timoteut 4:16-18
Pali kishte rreth vetes punëtorë besnikë, por ekzistonte një Ndihmës mbi të cilin ai kishte mësuar që të mbështetej mbi të gjithë të tjerët. Në këtë pasazh ai na tregon për një periudhë kohe kur nuk kishte asnjë ndihmës njerëzor tek i cili ai të mund të kthehej: “askush nuk më qëndroi pranë” (v. 16). Përvoja e Palit nuk ishte e vetme dhe mesa duket ajo ishte brenda planit të Perëndisë për jetën e tij. Jobi u braktis nga të gjithë, por ai ishte i preferuari i qiellit (Jobi 42:7-9). Jezusi e dinte se ç’do të thoshte të ishe i braktisur dhe i vetëm (Gjoni 16:32). Kjo lloj prove është një sfidë shumë e madhe, por gjithashtu edhe një privilegj i madh. Nëse Perëndia ju lejon që të përballeni me një situatë të tillë, konsideroheni atë si një shenjë të sigurisë së Tij në ju, sepse Ai nuk u beson shumë vetave një provë të tillë të ashpër. Nëse perballeni me nje periudhe te tille, ketu keni disa parime që mund t’i kujtoni. Së pari, ruajeni veten nga hidhërimi (v. 1 ). Mos iu dorëzoni tundimit për t’i kujtuar dështimet e të tjerëve kundër tyre dhe kështu të hidhëroheni e të humbni paqen tuaj. Vini re që Pali nuk e mohon faktin që të tjerët kishin bërë diçka gabim. Ajo që ai thotë në vargun 16 është: “Kjo të mos u llogaritet për faj”, një thënie plot hir që na kujton fjalët e Jezusit tek Luka 23:34. Në kohën kur ju braktiseni, beteja juaj më e madhe nuk do të jetë me rrethanat, por me veten tuaj. Juve do t’ju kërkohet që të luftoni për të ruajtur besimin dhe një sjellje të duhur. Mbi të gjitha, ju do të keni nevojë për një zemër që fal. Për ta parë këtë parim në një mënyrë pak më ndryshe, të qëndrosh i lirë nga hidhërimi do të thotë të refuzosh që të kesh një frymë ankuese. Dikush me të drejtë ka thënë: “Pastorit i lejohet që t’i rrjedhë gjak, por jo që të blegërijë”. Kundërhelmi i shkëlqyer ndaj një fryme ankuese është një zemër që lavdëron, e cila është një nga rezultatet e të qenit i mbushur me Frymën e Perëndisë (Efesianëve 5:18-19). Vini re shpërthimin plot lavdërim të Palit disa vargje më poshtë: “Lavdi Atij në jetë të jetëve! Amen” (v. 18). Përdoreni masën e lavdërimit në jetën tuaj si një barometër për të provuar sesa i mbushur me Frymën jeni ju vetë. Së dyti, besojini Perëndisë për fryte (v. 1 ). Rezultati i provave që kaloi Pali ishte që ndodhi një rritje në suksesin e progresit të ungjillit. Pali thotë, se gjatë kohës së provës Zoti i dha atij forcë, në mënyrë që nëpërmjet tij “shpallja e ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët”. Të gjitha provat nuk janë gjë tjetër veçse përgatitje për një shërbim dhe dobishmëri më të madhe; prandaj kërkojini Zotit që t’i përdorë provat nëpër të cilat kaloni për të sjellë një rritje në shërbesën tuaj. Xhorxh Uajtfilld (George Whitefield), ungjilltari i madh i shekullit të tetëmbëdhjetë, e mësoi shumë mirë këtë mësim. Një ditë, kur ai po kalonte përmes një prove të vështirë, ai vërejti se e kishte kuptuar që së shpejti Perëndia do ta përdorte atë në një masë më të madhe në shërbimin ndaj Tij. Së treti, besoni tek Perëndia se Ai do të bëjë të pamundurën (v. 17-18). Pali thotë se ai “shpëtoi nga goja e luanit”. Nuk mund të ketë pasur një çlirim më të madh sesa ky! Një fakt i rëndësishëm e që duhet mbajtur mend përsa i përket provave është, që ato kanë një prirje për ta mjegulluar të menduarit tonë dhe ta zënë pamjen e Perëndisë. Ato na bëjnë të ndjehemi sikur jemi zënë në lak dhe jemi bllokuar plotësisht, duke mos pasur asnjë rrugë shpëtimi. Pali ishte ndjerë pikërisht në këtë mënyrë në një rast të veçantë në Azi (2 Korintasve 1:8-11). Por ai kishte zbuluar se e gjithë ngjarja e kishte një qëllim; që ai të mësonte të mbështetej më shumë tek Perëndia dhe më pak në veten e tij. Së katërti, rrituni në aftësinë tuaj për t’u përballur me besim me provat e ardhshme (v. 18). Tek 2 Korintasve 1:10, i cili është një varg që gjendet tek pasazhi që ne përmendëm në paragrafin e mëparshëm, Pali thotë se Perëndia “na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më tutje”. Në të njëjtën mënyrë tek 2 Timoteut 4:18, ai thotë që “Zoti . . . do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore”. Ne duhet të marrim një mësim nga Pali për të lejuar që çdo çlirim që ne përjetojmë, të na forcojë besimin tonë për të ardhmen. Mësoni që të uleni dhe të mendoni mbi atë që ka bërë Zoti në provat e mëparshme. Akoma më mirë do të ishte që të mbanit një ditar dhe t’i riktheheshit atij herë pas here për t’u inkurajuar. |